Jeta Osh Qef

“Le të na shtrydhin dhe me kufomat tona të hedhin themelet për pallat. Shqipëri të kam dh*erë”
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 10.01.2017, 21:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
alionNga Alion Çaçi

Ky dimri, më shumë se temperaturat, ka ulur moralin. Situata është kaq elementare sa më s’bëhet. Nuk është aspak gjendje alarmante siç prezantohet në media. -4°C është temperaturë lehtësisht e përballueshme në çdo kryeqytet të botës përveçse në Tiranë.

Asgjë nuk do kishte ndodhur në qoftë se shteti, në vend të ministrive, do kishte rikonstruktuar spitale dhe shkolla. Asgjë nuk do kishte ndodhur në qoftë se shteti, në vend të ekspozitave të kryeministrit, do kishte financuar vaksina antigrip.

Por ky nuk është vend social. Ky është një vend që ngadalë, ia arriti të instalonte një formë diktature të panegociueshme. Një formë jetese që të shtrëngon për fyti derisa shpirti yt të të dalë nga goja si tym cigareje.

Ky është një vend ku prindërit nuk ushqejnë dot fëmijët dhe fëmijët nuk ushqejnë dot ëndrrat.

Dhe megjithatë, pushtetarët mburren me fasada , të cilat as nuk i kanë bërë siç duhet. Por populli gënjehet. Populli sheh dy rrugë, dy drita dhe dy tabela dhe mendon se po punohet.

Kam një javë që jam në Shqipëri dhe gjatë kësaj jave jam përpjekur të gjej një referencë, një të vetme, për ta krahasuar Shqipërinë me një vend tjetër të botës. Nuk kam ngjetur. Jemi unikë. Nuk ka asgjë në botë të katandisur kaq keq se Atdheu im.

Nuk ka asnjë popull në botë kaq të nënshtruar sa populli im. Njerëz që u zgjasin lugën dhe hapin gojën edhe pse u japin helm. Njerëzim që nuk di të kërkoj të drejtat e veta sepse as nuk i di ato të drejta. Njerëz që kënaqen se ia dolën edhe sot të hanë një pjatë supë por që nuk bënë dush sepse kishte ngrirë uji.

Çdo popull merr qeverinë që meriton. Mendoja se s’do e kisha thënë, por arritur në këtë pikë, mirë t’i bëhet këtij populli. Le të na shtrydhin dhe të na rrjepin derisa të mos mbajmë më dhe me kufomat tona të hedhin themelet për pallat.

Një vend ku rinia, e ardhmja dhe fuqia më e madhe, përballet çdo mëngjes me stres dhe depresion sepse nuk ka një

drejtim në jetë. Një vend ku një marrdhënie në çift duhet pretenduar pasi ke një punë, një shtëpi, një makinë, një shkollë e ku di unë se ça tjetër kriteresh ka mentaliteti.

Ka qenë një periudhë e ndritur për vendin tonë ku shkrimtarë, luftëtarë dhe priftërinj, luftonin të bashkuar për të mposhtur fashistët. Tani fashistët na drejtojnë, na shesin sapunin për djathë. Dhe ne e hamë. Dhe më keq do bëhet. Në qoftë se gjithkund tjetër shihet një dritë në fund të tunelit, Shqipëria është një shpellë e zhytur në errësirë në të cilin nuk shihet dritë.

Me gjithë respektin, por: Shqipëri të kam dhjerë!