Jeta Osh Qef
Home

Martesë me mblesëri, si nisi përçarja që përfundoi në tragjedi e gjyqtares dhe biznesmenit te “Tregu çam”
Nga: F.Tenolli | Publikuar më: 01.09.2017, 11:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Në një intervistë ekskluzive për GSH, fqinja e Fildes Hafizit ka rrëfyer bisedën që ka bërë me gjyqtaren para se ish-bashkëshorti i saj ta qëllonte me dy plumba e ta linte të vdekur në vend.

E respektonte e gjithë lagjja. I dija problemet e saj dhe gjithnjë e mbështesja. E takova para pak ditësh. E pyeta edhe për ish-burrin. Më tha ‘Jam e frikësuar'”. Kështu deklaroi dje, një prej fqinjave të gjyqtares. Duke mos dashur të identifikohej me emër, ajo rrëfeu se shkonte shumë mirë me Fildezin, ku kujtoi edhe bisedën e fundit që kishte bërë me të. “Jetoj këtu pranë, jam në një lagje me të. Para pak ditësh e takova. Po flisnim për pushimet dhe për përgatitjet që ajo do të bënte për të çuar fëmijët në shkollë. M’u duk e shqetësuar. E pyeta se çfarë kishte, por nuk donte të më tregonte. E pyeta për ish-burrin, për atë që sot i mori jetën dhe la fëmijët rrugëve. Më tha se ishte e frikësuar. Të dielën i kishte zënë rrugën dhe ishin zënë. I kishte kërkuar që të ktheheshin bashkë, por Fildezi nuk pranonte. Ishte e përkushtuar vetëm te fëmijët e saj. I thashë të kishte kujdes nga ai njeri. Sot (dje) u trondita kur mora vesh për ngjarjen. Ai burrë nuk e meritonte të kishte një grua si ajo”, – tha fqinja e gjyqtares, së cilës i dridhej zëri gjatë gjithë bisedës së bërë me të.

Panorama ka zbuluar historinë e çiftit, martesën e tyre me blesëri dhe diferencat kulturore e sociale që sollën përçarjen e tyre dhe vulosjen e fundit me tragjedi.

Diferencat arsimore dhe profesionale duket se kanë qenë shkak i mosmarrëveshjeve të shumta mes dy ish-bashkëshortëve, Fildes Hafizi e Fadil Kasemi.

Të martuar me mblesëri 17 vjet më parë, kur Fildesi sapo kishte mbaruar Pedagogjiken në Shkodër, çifti për afro 15 vjet jetuan bashkë në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Ajo ishte me arsim të lartë, drejtoreshë në një kopsht, ndërsa ai me të mesme, tregtar në “Tregun çam”.

U bënë prindër të dy fëmijëve, një djali 14 vjeç dhe një vajze 16 vjeçe, që sivjet futet në shkollën e mesme. Mikesha të afërta të Fildesit tregojnë peripecitë që ajo ka kaluar, kryesisht vitet e fundit, pasi nisi të ngjiste shkallët e karrierës, duke filluar një fakultet të dytë, ku u diplomua juriste.

Ky duket se ka qenë një problem për ish-bashkëshortin e saj, të mësuar me idenë se në kopshtin ku ajo ishte drejtoreshë do ta kishte nën kontroll, ndërsa si gjyqtare do të ishte më lart se ai. Vite më parë ajo iu bind “urdhrit” të tij, duke refuzuar propozimin për inspektore në Drejtorinë e Arsimit.

Por më pas vendosi që të realizonte ëndrrën e saj për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Ndonëse ishin në gjendje shumë të mirë financiare, pasi i shoqi ishte pronar i një dyqani të madh te “Tregu çam”, ajo studimet për Drejtësi i vazhdoi me bursë, të cilën e fitoi falë rezultateve të shkëlqyera.

Madje, fitoi edhe Magjistraturën, duke u bërë gjyqtare e, nga ana tjetër, ishte edhe pedagoge në universitetin privat ku ajo u diplomua juriste.