Jeta Osh Qef
Home

Vini re, vini re! 1 janari do të jetë dita e falimentimit të 100 mijë familjeve shqiptare
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: Thu Oct 5

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

a9

Sikur të mos mjaftonin kutitë e famshme të ndihmës së shpejtë për makinat (edhe nëse e kishe një, duhej të blije medoemos një tjetër), kamerat e sigurisë për bizneset (çuditërisht një "forcë misterioze" i la në harresë, por shteti i donte me ngulm), kasat fiskale me detyrim-përcaktim, mbylljet e kioskave sikur të ishin krime lufte, kontrollet "ushtarake" nëpër dyer, dhjetëra taksa e shpikje moderne xhepshpuese dhe shumë e shumë kërkesa amerikançe, gjermançe apo japonezçe, qeveria vazhdon të na e "rrasë sa krahu". Të gjitha këto, rrjedhojë e pagave tona 2-milionëshe.

Shpikja e radhës e kapitenit aktual të anijës thuajse të përmbytur të shtetit është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar edhe për biznezet e vogla. Po, o njerëz, po! Edhe nëse për 100 vjet nuk do ta kapni kurrë atë 50 milionëshin brenda një viti, sërish rrezikoni gjobë të majme, nëse nuk bëni si thotë qeveria. Po vdisni për bukën e gojës, por doni t’u lini një biznes sado të vogël fëmijëve? E pamundur! Ky shtet do ta çojë në falimentim gjithë popullin, me çdo kusht.

Duhen para për të nxjerrë shpenzimet e fushatës dhe droga nuk mjafton. Me këto paralajmërimet dhe rrëfimet e frikshme nga SHBA-ja, ndoshta kapitenit dhe kapitenëve u ka hyrë frika dhe përkohësisht i kanë ndërprerë disa "punë", kështu që paratë do të nxirren tëk e tëk e tëk nga… populli. Pse, menduat ndonjë skenar tjetër? Sigurisht që nga populli!

Kjo masë pritet të rrisë ndjeshëm kostot e biznesit, jo vetëm për shkak të taksës shtesë, por edhe barrës administrative që mbart. Qeveria do të detyrojë të gjitha bizneset e vogla të bëjnë deklarimin e TVSH-së duke nisur nga 1 janari, që do të thotë se duhet të paguajnë kontabilistë, të kenë një kompjuter me çdo kusht, ashtu si edhe lexuesin elektronik që mban evidencën e inventarit. Këto pajisje kushtojnë diçka më pak se 1 mijë euro.

Pra, kaluam nga kutitë e ndihmës së shpejtë te pajisjet e inventarit! Kampionë, për nder! Të paparë janë!

Sot Shqipëria ka mbi 100 mijë biznese të vogla. Nga 1 janari, të gjitha duhet të paguajnë 20% të marzhit bruto. Kjo do t’i falimentojë thuajse të gjithë! Nëse mendoni se duke rritur çmimin e produkteve bëni gjë, e keni gabim. Populli i ngratë nuk ka lekë dhe vështirë se do t’i përballojë shpenzimet me kosto kaq të madhe.

Rrjedhimisht, secili prej nesh i ulet në prehër nënës dhe e pyet: "Më linde bir për mirë, apo dreq për të hequr keq?" Ajo nuk do të përgjigjet, se mallkon veten, por përgjigjja dihet: alternativa B. /JOQ.al