Jeta Osh Qef
Home

Tifozeri partish dhe batuta me politikë, baballarët tanë po na e marrin shpirtin
Nga: L.Çela | Publikuar më: 06.10.2017, 22:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
YT

Vështirë se ka ndonjë vend në botë, ku meshkujt +40 vjeç thurin batuta veç me politikë. Ky vend jemi ne, Shqipëria. Baballarët tanë nuk i kalojnë më kot orët në kafene, por duke ngacmuar njëri-tjetrin me një material të dendur politik, sikur secili prej tyre ka shpikur demokracinë apo ka shkruar gjysmën e ligjeve të shtetit. Imagjinoni, edhe emisionet e satirës dhe ato të humorit 90% të skenarit e kanë me Ramë, Sali, Metë dhe Enver. Shkurt, tifozë partish.

Në fakt, e kemi në racë analizën. Këto gjëra janë me të lindur. Thjesht s'na e ha qeni shkopin për të shpjeguar çfarë tha Filani, si e tha dhe në çfarë mënyre e tha. Ato plakat në ballkon që i kanë sytë si dylbi nuk janë asgjë. Nëse një politikan "i madh" flet në darkë, të nesërmen duhet një editorial në gjithë qytetin apo fshatin, mundësisht me 10 teza të ndryshme dhe sondazhe. Mëkat i madh!

Ik atje, jemi të djathtë ne! [...] Eja me ne dhe rilind, bëhu i pasur! [...] Ju komunistave ju ka kaluar koha! [...] Filani e ka pasur babain sekretar partie! [...] Kjo bluza blu nuk është rastësi. Se kështu jeni ju 91-shat".

Sa e sa batuta - nëse mund të quhen të tilla - kemi dëgjuar. Se pse duhet të qeshësh me to nuk dihet, por shkojnë shumë me raki dhe qofte. Ata pra, baballarët tanë.

Keni parë ju studentë me shkollë të lartë, të mirëformuar, që kur flet Sali Berisha në televizor ngrihen nga karrigia? Ju betohemi se ka plot krahina në veri, ku kjo ndodh! Keni parë ju emigrantë të kthyer për muajin e gushtit në Shqipëri, mes makinash të lara me ar dhe veshje faraonësh, që diku, thellë nga Jugu, bëjnë be në kokën e Edi Ramës? Janë, janë, të gjithë nëpër mëhallë janë. Madje, as thellë jo, por kudo!

Sot kemi një lutje për çdo prind, që politikën të paktën ta lërë jashtë familjes dhe të mos ndikojë në qëndrimin e fëmijës së tij në këtë aspekt.

Rinia ka 1 milion rraqe të kohës për të rregulluar, por të paktën të mos e shtojmë ngarkesën edhe me të kaluarën. Politika nuk i jep bukë kujt. Përkundrazi. /JOQ.al