Jeta Osh Qef
Home

Me heronjtë e Trepçës, 1 kilometër nën tokë
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 18.10.2017, 07:42

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Çdo ditë, minatorët e Trepçës (dhe jo vetëm), futen nën tokë, në një thellësi prej 800 metrash dhe gërmojnë e mundohen në kushte të vështira që të nxjerrin prej nëntokës mineralet dhe xehet me vlerë.

Mjafton të thuash fjalën minator dhe kuptohet vështirësia e kësaj pune. Nuk është aspak e lehtë të jesh çdo ditë qindra metra nën tokë dhe të përballesh me vështirësitë e shumta, duke nisur nga frika prej pajisjeve të amortizuara, të cilat mund  të të "tradhtojnë" nga momenti në moment, por edhe mungesa e oksigjenit në pjesë të caktuara.

Luljeta Krasniqi Veseli i ka kushtuar një reportazh këtyre heronjve që qëndrojnë thuajse përherë në hije.

Nga Luljeta Krasniqi Veseli, REL.

Afër hyrjes së minierës, nga një oxhak del një tym i lehtë që tregon se diku në thellësi të tokës po punohet.

Minatorët hyjnë e dalin tek hyrja kryesore e Minierës së Stantërgut, e cila gjendet në Mitrovicë, sipër së cilës është vendosur një shenjë e madhe me mbishkrimin, “Me fat!”.

Para se të lëshohen qindra metra në thellësi të tokës, ata veshin rrobat e punës- çizmet, pantallonat, xhaketat dhe mbi kokë vendosin helmetën me dritë, mjete këto, pa të cilat nuk lejohet hyrja në minierë.

Kur veshin gardërobën e përshtatshme, minatorët janë të gatshëm për të filluar punën nëntokë.

Për të zbritur tek punishtet, mblidhen te “kafazi”, siç e quajnë ata, ashensorin i cili daton që nga viti 1954. Një sinjal tregon që ashensori fillon të ulet poshtë me të cilin zbresin deri në horizontin e 10-të nga 12 nivele sa ka gjithsej.

Thellësia është deri në 800 metra nën sipërfaqen e tokës.

Sapo të zbresësh poshtë në horizontin e 10, për të shkuar më pas në këmbë deri në horizontin e 11, ajri është i nxehtë, në vende- vende temperaturat janë të larta e diku shumë të ulëta. Derisa në disa nga punishtet përveç temperaturave të larta, ajri është i tymosur.

Lagështia e ajrit në disa vende në galerinë e minierës ndihet dukshëm.

Rrahman Beqiri, vozitës i makinave të rënda, tha se mungesa e mirëfilltë e filtrimit të ajrit dhe makineritë e vjetruara e bëjnë më të rrezikshme punën në këtë minierë.

Beqiri, i cili punon në Trepçë që nga viti 1983, thotë:

Një ditë e punës në minierë është me shumë vështirësi të mëdha- zgjimi herët në mëngjes, përgatitja. Vështirësitë, me të cilat përballemi, janë makineri të amortizuara që në disa vende tjera të botës janë edhe jashtë përdorimit. Por, ne punojmë nuk bën të ndalemi".

Kombinati Trepça përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në Miniera me Flotacione, në Parkun Industrial në Mitrovicë dhe në Kompleksin e Shkritoreve.

Trepça ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, pas luftës e deri në tetor të vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, nuk dihej se çfarë do të ndodhte me këtë kombinat.

Sipas të dhënave zyrtare nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren 150 mijë tonë xehe.

Edhe kapacitetet e saj humane janë zvogëluar po ashtu përgjatë viteve, duke u reduktuar në 1,400 punëtorë nga mbi 20,000 sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.

Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”.

I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Shpresat mundin rrezikun

Rrogat aktuale të punëtorëve sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë nga ata nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

Fehmi Hajredini, është mbikëqyrës në horizontin e 11-të. Ai tha se “në çdo hap që sillesh, në minierë është e rrezikshme”.

Sipas tij:

Zakonisht në minierë ka vende të rrezikshme sidomos në punishte ku punohet, ka vende ku shkëmbinjtë janë të çarë dhe aty duhet kujdes i madh, por për fat të mirë ndodhin shumë rrallë fatkeqësitë në minierë".

Ai tregoi se ka pasur disa minatorë që janë lënduar gjatë punës, dhe disa të tjerë që kanë vdekur në minierë.

Hajredini tregon:

Para lufte mu në horizontin e 10 në punishten 140 ka pas ndodhur ku dy minatorë kanë vdekur. Dy ndërrime kanë punuar për të thyer shkëmbinjtë për t’i nxjerr trupat e pajetë. Është përjetim i rëndë të shohësh kolegun duke u mbytur".

Mosha mesatare e minatorëve tregon drejtori i minierës së Stantërgut, Qazim Jashari është 55 vjeç.

Jashari rrëfen:

Unë kam minator 64 vjet që punon prej tij nuk mund të pritet shumë, pasi që fuqia e ka lëshuar mosha e ka bërë të veten, tërë kohen ka punuar në minierë ai është i dërmuar. Po presim që tani ligji të na ndihmojë, na kanë premtuar që do të bëjmë diçka që të ulemi moshën e pensionimit të minatorit".

Në minierën e Stantërgut ka edhe punëtorë të rinj rreth të 30-tave. Njëri prej tyre është Ramadan Behrami, inxhinier, kryepunëtor i horizontit të 10-të të minierës.

Ndryshe, nga minatorët e vjetër Ramdani është më pak i lodhur nga puna e vështirë në minierë. Ai ka gjashtë vjet që punon në minierë dhe shpresat i ka të mëdha se ky gjigant metalurgjik do të rimëkëmbet dhe do t’i kthehet nami që kishte dikur.

Ramadani thotë:

Kushtet për momentin janë ato që janë. Makineria në përgjithësi është e vjetruar, mjetet që janë duke punuar në horizontin e janë të vjetra 10 vjet. Është investuar shumë pak, me ato mjete është vështirë të kryhet punë. Në kushtet që janë sot prodhimi është i kënaqshëm. Por me një investim nga Qeveria qendrore, ka mundësi të bëhet më shumë prodhim”, thotë ai.

Gjiganti i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stantërgun me minatorë shqiptarë, nuk arriti të funksionojë si duhet, për shkak të statusit të pazgjidhur dhe ndarjes, që ngjasonte edhe në vetë qytetin e Mitrovicës.

Tani për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë kanë filluar procedurat për zbatimit e këtij ligji që si i tillë është thënë se do të mundëson rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça.