Jeta Osh Qef
Home

Iku vjeshta, erdhi dimri, në Shqipëri plasi krimi
Nga: L.Çela | Publikuar më: 10.11.2017, 17:38

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
tahiri0

Shpresat për të parë “peshkun e madh” të Donald Lusë në burg po vyshken. Të drejtat e shqiptarëve për të parë Saimir Tahirin pas qelisë po bien si gjethet e vjeshtës.

Sigurisht, po flasim për 99% të popullsisë normale nga Vermoshi në Konispol, jo për 1% e indoktrinuar me pilulën “tahirjane”. I fortë paskësh qenë ky “Saja”, kur sheh njerëzit që e mbështesin - edhe pse skandalet e tij po dalin sheshit dhe vetëm për antidrejtësinë shqiptare janë në rregull - s’u beson syve.

A thua vërtet janë kaq të çmendur këta?!

Megjithatë, ky është problemi më i vogël i shqiptarëve, pasi brenavekët e kryeministrit tonë (Zot, na ruaj, se mos na cilëson kazan!) janë bërë hiti i momentit. Së shpejti, do vijë me koleksionin e fundit vjeshtë-dimër 2018.

“I përndrituri” tij i marrëdhënieve me mediet mund të zhvillojë edhe një emision në televizionin më të saktë, ndriçues, iluminues, verbues: “ERTV”. Besojeni: shumica e komenteve do të jenë pozitive, pasi edhe përmbajtja do të jetë fantastike.

Në sezonin e parë do të flitet për luftimin e krimit. E dini ju se qeveria shqiptare ka finalizuar kapjen me sukses të kriminelëve më të rrezikshëm? Te “Stacioni i Trenit”, në Tiranë, janë konfiskuar 2 kilogramë të dyshimtë prasë të një nëne nga Ndroçi. Në Rus të Shkodrës është arrestuar kryefamiljari i një familjeje me 5 persona, pasi po shiste 5 kilogramë duhan. Në kalanë e Elbasanit u arrestua një çift romësh, se po shisnin lodra dhe tullumbace fëmijësh.

S’ka diferencime në shtetin tonë, të gjithë të barabartë. Në Vlorë, te Lungumarja e famshme, uniformat blu në një aksion “blic” kapën në flagrancë një çunak që po mblidhte kanoçe.

Kështu ndodhi me kryeplakun e Delvinës, se kishte hapur një pus ujë, ashtu si edhe me një banor në Berat. E shumë e shumë histori të tjera që janë pasqyruar edhe nga redaksia jonë.

S’na mbetet gjë tjetër vetëm të themi:

Iku vjeshta, erdhi dimri, në Shqipëri plasi krimi!


P.S.: Ngjarjet e përshkruara nuk janë raste reale, por të trilluara për dobi të shkrimit. / E.H.