Jeta Osh Qef
Home

"Dibranët kanë tre javë pa mish, u mbyllën thertoret për mustaqet e Çelos nga Peleshi"
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 13.11.2017, 12:50

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Prej disa ditësh AKU-ja ka ndërmarrë një aksion për mbylljen e thertoreve që tregtojnë mish jashtë standardeve dhe që kryeministri Rama i quajti burim infeksioni, ndërsa pak ditë më parë ishte ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ai që akuzoi se i gjithë ky aksion po bëhej për të futur në vend mish të importuar dhe për të favorizuar disa tregtarë që janë pranë qeverisë.

Ndaj kësaj situate ka reaguar edhe deputeti i Dibrës, Xhemal Gjunkshi, i cili shprehet se prej tre javësh Dibra ka ngelur pa mish dhe se bagëtitë janë mbledhur nga Dibra, janë therur në Lezhë dhe po u shiten sërish dibranëve me kosto më të lartë.

Ai akuzon Niko Peleshin për përhapjen e panikut në vend, ndërsa kujton se Dibra ka mbajtur me mish edhe Tiranën, e është absurditet të ngelë për vete pa mish.

Statusi i plotë

Nga dita kur kam pranuar të përfaqësoj zërin e Dibranëve në Kuvend, kam bërë një pakt me veten se do të ulem, të dëgjoj dhe të ngre zërin për ta.

Të djathtë apo të majtë qofshin, ato janë Dibranë dhe hallet i kanë të përbashkëta. Prej dy ditësh kam parë nga afër se si një urdhër i AKU-se (të cilën Rama e ka quajtur vatër infeksioni) ka bllokuar të gjitha thertoret dhe pikat e therjes pa asnjë shkak. Shqetësimit të tregtarëve nuk denjoi t’i përgjigjej Kryetari Bashkisë e as Drejtori i AKU-se Agron Cara.

Me siguri urdhri i Nikos ishte ligj. Tregtarët e mishit dhe kasapët pritën një takim me ministrin Niko Paniku, por ky i fundit nga paniku i injoroi sa i detyroi ta zënë për xhakete.

Në fakt s’kishte ç'të bënte tjetër pasi thertoret janë mbyllur për mustaqet e Çelos , pse inspektori ka parë një mizë apo se mungon një lavaman brenda stallës së viçave.

Në emër të shtetit Niko Paniku po krijon një mega aferë korruptive, një monopol të tregut të mishit. Në përpjekje për të mbështetur një bandë klientë të qeverisë Nikua po bën “tufëzimin” e dytë pas atij që bëri “idhulli” i tij në 1981 kur i tufëzoi të gjitha bagëtitë.

Të urdhërosh një “klient të qeverisë”të mbledhë gjithë bagëtinë e Dibrës, ta therësh në Lezhë dhe tua shesësh Dibranëve kjo s’është parë e dëgjuar. Jo vetëm se rrit çmimin me 300 lekë për kile por ne Dibranët e kemi qejf të konsumojmë produktet e vendit, paçka se qeveria juaj erdhi me “harxhe” me vete…

Ç'po ndodh në Dibër ?

Prej tre javësh tregu s'ka fare mish.

Prej tre javësh spitalet janë pa mish.

Prej tre javësh çerdhet dhe kopshtet janë pa mish.

Prej tre javësh qytetarët janë pa mish.

Por aq sa e ndali diktatori që adhuron Niko Paniku aq mund ta ndalin edhe këto pasardhësit e tyre. Dibra ka mbajtur Tiranën me mish të freskët vendi, ndaj ta harrosh ti dhe kushdo klient i sojit tuaj se mund të detyroni Dibranët të hanë mishin e ngrirë që si dihet nga e ka prejardhjen.

Ti Niko veç sa po i nxit Dibranët drejt informalitetit si në diktaturë.

Ti Niko dhe “paniksa” si puna jote bëhuni burra dhe pritni e sqaroni dibranët, tërhiquni sa nuk është vonë nga ky vendim absurd dhe Megakorruptiv.