Jeta Osh Qef
Home

Llullat fantastike të Sidritit
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 24.11.2017, 10:38

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Prej 5 vitesh ai ushtron artin e punimit të llullave duke gdhendur në to karaktere të njohur apo personazhe të famshëm.

Nuk ka bërë shkollë arti, nuk ka marrë leksione nga askush dhe gjithçka e ka mësuar si autodidakt, por pasioni i madh për atë që bën e ka shndërruar në një artist të mirëfilltë.

Sidrit Vaqari arrin të gdhendë personazhe në llulla, duke u bërë kështu i vetmi në botë që krijon vepra arti të këtij lloji.

35-vjeçari nga Tirana tregon për JOQ.al se ishte ende adoleshent kur iu desh të punonte në fabrikën e prodhimit të llullave në kryeqytet, e megjithatë kjo nuk e pengoi që brenda tij të rritej dashuria për skulpturën.

Ndërsa ushtronte njëkohësisht edhe punën si tattoo artist, Sidriti përpiqej çdo ditë të ndërtonte kompozimet e veta, pa lënë pas dore punën në fabrikë.

Pasioni dhe përkushtimi i të riut nuk kishte kaluar pa u vënë re nga pronari i tij, i cili një ditë i sugjeroi që personazhet e vizatuara në tatuazhe të përpiqej t’i gdhendte në llulla.

Ai shprehet:

Inspirimi im më i madh ishte Gandalf nga “The Lord of the Rings,” imazhin e të cilit e kam edhe tatuazh në trup, megjithatë çdo punim i imi është frymëzuar nga një karakter epik i filmave."

Tashmë i martuar dhe baba i një vogëlusheje, 35-vjeçari tregon se nuk ka ende një studio të vetën në Tiranë, por të gjitha punimet e tij dalin nga shtëpia ku banon:

Aty kam krijuar një kënd, ku gdhend drurin që e ble nga fabrika ku punoj. Materiali  duhet të jete dru shqope mbi 50-vjeçar në mënyrë që të realizohet siç duhet personazhi i gdhendur. I vetmi mjet që përdor për këtë është thika, dhe gjithçka tjetër e bëj me intuitë."

Arti i tij nuk vlerësohet në Shqipëri, por Sidriti ka gjetur klientelë në SHBA. Përmes faqeve të njohura në internet ai ka arritur të promovohet dhe të marrë porosi edhe nga përtej oqeanit, duke i siguruar kështu edhe të ardhura të mjaftueshme.

Sidriti shprehet:

Faqet më të mëdha elektronike në botë kanë publikuar punën time,  “Ian McKellen” ka qenë arritja ime më e madhe. Punimet e mia kanë çmime pak të larta për shoqërinë tonë duke qenë se janë të personalizuara, prandaj ndihem me fat që kam arritur të shes jashtë vendit. Krijimi me çmimin në të lartë është dragoi i “The hobby” i cili është shitur për 5000 dollarë.”

Përveç këtyre promovimeve ai administron faqen e  Instagramit, SVpipedesign, ku tregon gjithë veprat e tij të artit.

Me gjithë dëshirën për të jetuar aty ku arti vlerësohet më tepër, Sidriti pranon se do të vazhdojë të punojë në Shqipëri, sepse ndonëse jeton në Tiranë ai ia ka dalë të jetë i njohur në të gjithë botën, nga njerëzit që i njohin dhe punojnë me pipat.