Jeta Osh Qef
Home

Amerikanët marrin në kontroll hapësirën ajrore të Shqipërisë, "fluturojnë" miliona dollarë
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 06.12.2017, 09:22

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Hapësira ajrore në Shqipëri do të kontrollohet edhe nga amerikanët, të cilët do të asistojnë në këtë monitorim.

Kjo marrëveshje është firmosur mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë amerikane “Lockheed Martin Global, Incorporated”, e cila konsiston në blerjen e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë.

Sistemi i radarëve do të instalohet në Pukë. Faza e parë e projektit do të kushtojë 22.266.000 USD. 19.139.000 USD do të mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes shqiptare, ndërsa 3.127.000 USD do të akordohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas kontratës, kompania do të marrë përsipër jo vetëm sigurimin e sistemit TPS-77 dhe instalimin e radarëve, por parashikohet një mundësi për mirëmbajtjen, për pjesët e këmbimit si dhe trajnimin e personelit shqiptar.

Parashikohet që jo më vonë se gjashtë muaj pas datës së hyrjes në fuqi të kontratës, palët do të takohen për të diskutuar mbi marrëveshjen e mirëmbajtjes, pa u kufizuar, në pjesë këmbimi, riparime dhe trajnime. Kontrata është firmosur në muajin shtator të këtij viti nga ministrja e Mbrojtjes shqiptare Olta Xhaçka dhe përfaqësuesi i kompanisë amerikane Lockheed Martin Global, Christopher Bowman, shkruan “Shqiptarja.com”.

Kontrata është miratuar nga qeveria ‘Rama 2’ ditët e fundit, ndërsa është botuar në Fletoren Zyrtare. Kontrata parashikon afate për kohën e zbatimit të saj, por që varen nga koha e hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

TrajnimiSipas kontratës, për çdo trajnim të kryer nga kompania amerikane, në këtë rast e përfaqësuar nga Mr. Christopher Bowman, pala shqiptare do t’i sigurojë kompanisë një listë të emrave të pjesëmarrësve të caktuar, së paku 30 ditë para mbërritjes së tyre në ambientet e kompanisë në Syracuse, Nju-Jork.

Ministria e Mbrojtjes do të jetë përgjegjës për marrjen e vizave të duhura hyrëse nga ambasada ose konsullata e SHBA-së, emigracioni dhe autorizime të tjera për çdo pjesëmarrës para mbërritjes në Shtetet e Bashkuara.

Kompania do të sigurojë një ftesë zyrtare për ambasadën lokale të SHBA-së për lëshimin e vizave. Kompania amerikane rezervon të drejtën të refuzojë hyrjen ose të heqë një pjesëmarrës nga pjesëmarrja në ndonjë kurs trajnimi në rast se pjesëmarrësi i tillë dështon ose të përmbushë ligjin e SHBA-së (federale, shtetërore ose lokale) ose me politikat e Lockheed Martin.