Jeta Osh Qef
Home

Arbëreshët që këndojnë shqip: Na shikojnë me habi
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 06.12.2017, 12:26

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Kanë arritur të ruajnë motive gjuhësore dhe kulturore prej më shumë se 5 shekujsh, që atëherë kur janë larguar nga vendi që dikur quhej Arbëri. Përmes shpirtit artistik dhe dashurisë për bashkëjetesën me  kulturën mëmë, ata kanë krijuar para më shuma se dy dekadash një grup muzikor që vazhdon ende të punojë për të risjellë në vëmendje gjuhën arbëreshe.

Peppa Marriti Band, janë një grup këngëtarësh që këndojnë muzikë rock me tekste të këngëve të vjetra arbëreshe, duke u përpjekur t’i sjellin në vëmendjen e brezave të rinj përmes kësaj rrymë moderne.

Me pozitivitetin dhe humorin që i karakterizon ata iu përgjigjën pyetjeve të JOQ, duke na bërë të rikujtohemi për t’i ruajtur me fanatizëm vlerat gjuhësore dhe kulturore shqiptare.

Intervista:

Një grup arbëreshësh që luan muzikë rock në gjuhën shqipe, përse ka zgjedhur këtë emër dhe cili është kuptimi i tij?

Peppa Marriti Band është krijuar në 1991. Origjina e emrit ka ardhur nga Sofia d’Epiro, në provincën e Cosenza-s, aty ku ka shumë banorë me origjinë të largët shqiptare. Aty ishte një marangoz shumë i mirë i cili thirrej Peppa Marriti, ndonëse emri i tij i vërtetë ishte Diacono Atanasi.

Shpesh ai e ekzagjeronte me alkoolin kështu që komuniteti i vuri nofkën Peppa Marriti. Shpesh gjatë mbrëmjeve të verës takoheshim dhe bënim shaka e shoqëroheshim me të. Për fat të keq alkoolizmi i mori jetën në moshën 56-vjeçare. Kështu ne vendosëm që t’i jepnim grupit emrin e këtij burri duke simbolizuar të gjithë njerëzit që margjinalizohen nga shoqëria dhe shpesh lihen mënjanë. Për t’i dhënë zë atyre që nuk kanë zë dhe për të gjithë ata që kanë ndonjë problem dhe bien e nuk arrijnë të ngrenë krye.

Çfarë instrumentesh përdorni për të krijuar muzikën tuaj?

Instrumentet janë ato të një bande rock-u: një kitarë akustike ku luan Angelo Conte, kitarës elektrike i bie Antonio Castrovillari, Pino Murano në violinë, Demetrio Corino në bass, dhe Francesco Greco në bateri. E veçanta është që përdorim gjuhën arbëreshe në Kalabri. Kështu kemi vështirësi, të cilat nuk janë vetëm teknike, por të gjithë individualisht i rikthehemi me mijëra herë çdo tingulli që përçohet dhe kjo është arsyeja se përse grupi ka publikuar vetëm tre albume në 25 vite.

Periudha që po përjetojmë është shumë e trishtuar sepse të rinjtë flasin pak për gjuhën arbëreshë dhe ne synojmë ta risjellim në vëmendjen e tyre.

Kjo do të thotë se target grupi juaj janë të rinjtë?

Në fakt, ne i drejtohemi të gjithë njerëzve që pëlqejnë muzikën rock. Që prej kur e kemi krijuar grupin kemi qenë të dashuruar me rock-un klasik amerikan të Bruce Springsteen , Tom Petty, Eric Clapton etj, rock i viteve ’80 të cilën ne e kemi konsumuar. Dhe kështu menduam, përse të mos e luajmë këtë lloj muzike dhe ta këndojme me gjuhën arbëreshe, këtë gjuhë arkaike që ka qenë e pranishme prej pesë shekujsh.

Muzika juaj është rrok me përmbajtje të motiveve popullore gjuhësore dhe autoktone shqiptare. Përse kjo zgjedhje?

Ne marrim këngë shumë  të vjetra arbëreshe dhe i përpunojmë, tekstet përfshijnë të gjithë problemet e jetës së përditshme. Ne përdorim muzikën si një instrument për të shkëmbyer emocione me atë që na dëgjon. Tekstet janë të gjitha në gjuhën shqipe arbëreshe. Kjo sepse shpesh ne dëgjojmë muzikë në një gjuhë që nuk e kuptojmë, anglisht për shembull, por ama tingujt na pëlqejnë dhe nga intonacioni i zërit arrijmë të kuptojmë edhe gjendjen emocionale të këngëtarit, dhe kështu audienca italiane na kupton. Pra arrijmë të japim një emocion përmes imazhit dhe muzikës.

Ne kërkojmë të jemi zëri i kësaj kulture që në Itali është në agoni, thuajse ka humbur, prandaj kemi përdorur këtë gjuhë në një mënyrë më moderne. Kështu tërheqim të rinjtë që mësojnë anglisht përmes muzikës rock, bëhen kuriozë dhe duke e kënduar e mësojnë edhe gjuhën arbëreshe.

Kur këndojmë në koncerte, njerëzit në fillim na shikojnë me habi se çfarë po këndojmë, por pastaj qëndrojnë duke na dëgjuar deri në fund, dhe gjithmonë marrim komplimente. Psh. Një familje italiane që na dëgjoi në një nga koncertet e fundit, mbeti e impresionuar nga projekti dhe muzika dhe që atëherë bënë kërkime e madje filluan të flisnin shqip. Madje zonja e familjes e di më mirë se sa ne këtë gjuhë. Qëllimi ynë pra është të nxisim kureshtjen e tyre.

Si arrini të financoheni, a fitoni mjaftueshëm?

Me muzikën nuk jetohet, as në Itali. Muzika për ne është një pasion të cilin e çojmë përpara në mënyrë serioze, por ama mbetet një pasion, në sensin që edhe ajo që fitojmë përdoret përsëri brenda grupit. Pra të ardhurat nga muzika i përdorim për transferime, udhëtime, për të bërë CD-të, për të çuar para punën.

A është hera e parë që vini në Shqipëri?

Jo, si grup është hera e dytë. Por Antonio ka ardhur që në vitet ’80 kur ishte ende diktatura. Tirana ka ndryshuar shuma që atëherë, është bërë një qytet europian, nga një vend i botës së tretë që dukej se ishte. Madje duhet komplimentuar gjithë populli sepse po ndërtojnë një shoqëri shumë të bukur dhe kjo vërehet edhe nga mënyra se si na flasin dhe na presin. Ne kemi qenë edhe në Bunker Fest para 5 vitesh në një ceremoni në Pezë, ku jemi kënaqur shumë. Gjithashtu kemi qenë në një koncert edhe në Maqedoni ku kishte shumë shqiptarë. Dhe të themi të drejtën këtu ndihemi si në shtëpi.

Pse keni ardhur për festat e nëntorit në Shqipëri?

Në fakt është rastësi, ne kemi publikuar pak javë më parë një këngë arbëreshe “25 gërshetat”, dhe pas kësaj jemi ftuar për të performuar këtu në Tiranë, në disa clube ndërsa së fundmi kemi marrë edhe një ftesë për të ardhur përsëri në pranverë ku të performojmë për të gjithë qytetin.

Është shumë bukur për ne të vijmë në Shqipëri dhe ndonëse nuk e flasim mirë gjuhën arrijmë ta kuptojmë dhe është një emocion kur shohim menu-të apo tabelat në shqip, por shuma fjalë janë të njëjtat.

Çfarë mesazhi ju jepni shqiptarëve që ju dëgjojnë?

Së pari i ftojmë të na ndjekin në sitet tona. Duam t’ju themi se muzika është një mesazh i cili ndihmon që të krijohet një botë ku bashkëjetohet me çdo gjë të mirë, dhe një botë më të lumtur për fëmijët tanë.

Në  fakt ka një paralelizëm midis historisë së Shqipërisë dhe asaj të grupit. Sepse ashtu si Shqipëria po ndryshon dhe po rritet jo duke u kthyer në të shkuarën por duke mësuar nga e shkuara, edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë duke krijuar të ardhmen duke u bazuar në rrënjët tona.

Pregatiti: JOQ.al