Jeta Osh Qef
Home

Sot mbahet ceremonia e "Topit të Artë", por fituesi dihet prej kohësh
Nga: K.Demiraj | Publikuar më: 07.12.2017, 08:35

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
"Topi i Artë' është trofeu individual më i rëndësishëm që një futbollist ëndërron të fitojë gjatë karrierës së tij. Dhe çdo vit, më i miri i sezonit bekohet me këtë çmim.

Ceremonia e këtij viti do të zhvillohet ditën e sotme, 7 dhjetor ora 19:45 në majën e Kullës Eifel dhe drejtuesi i saj do të jetë ish-futbollisti David Zhinola.

Çmimi jepet në emër të revistës "France Football" dhe akordohet nga vota e 173 gazetarëve sportivë nga e gjithë bota.

Për çmimin janë në garë 30 futbollistë, por emrat e mëdhenj të podit të finalistëve janë ata të përhershmit, Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi dhe Nejmar, njëri prej të cilëve pritet që ta fitojë edhe këtë vit.

Por kush do jetë fituesi? Sipas të gjitha gjasave, do të jetë pikërisht sulmuesi i Realit të Madridit që do të shpallet fitues.

Këtë fakt e kanë konfirmuar edhe fotot nga këpucët e reja të kompanisë “Nike”, e cila ka nxjerrë në shitje dy modele të reja.

Modeli “Nike Mercurial Superfly V CR7 SE2” ka të shkruar në pjesën e mbrapme, në gjuhën portugze, fjalët “Triumfi i pestë”, ndërsa në brendësi shkruhen edhe vitet 2008, 2013, 2014, 2016, si dhe 2017, vitet kur portugezi ka fituar Topin e Artë.