Jeta Osh Qef
Home

Një “party” rreth 80 vite më parë, cili ishte “qyteti-qejfli” dhe sa kushtonte bileta?
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Thu Dec 14

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga: MARIN MEMA

Çfarë dinë shqiptarët për Drenovën? Një pyetje kaq e përgjithshme mund të merrte çfarëdo përgjigje, që nga ato që lidhen me vendndodhjen gjeografike të saj. Pjesa më e madhe do e lidhnin padiskutim si vendin e lindjes së të madhit Asdren, ndoshta të tjerë kanë informacion se dikur Drenova ka qenë një çiflig i Ali Pashë Tepelenës, por më pas edhe i Sulltanëve të Stambollit.
Dhe deri këtu s’kemi thënë asgjë të çuditshme ose të habitshme… Por a do të habiteshit po të dinit se pikërisht në 1930, Drenova pak kilometra nga Korça organizonte ato që sot quhen "party", plot 87 vite më parë? E pra, thuajse një shekull shkuar, drenovarët organizoheshin në ballo mondane, me një program të larmishëm artistik që sot është shumë larg imagjinatës, por dhe praktikës.
Disiplinat e kërcimit, pjesë e repertorit të njërës prej ballove të organizuara në 19 Janar 1930,  ishin të shumëllojshme dhe sot mund t’i njohin vetëm profesionistët, ose fare pak publiku i gjerë përmes spektakleve televizive. Ndërkohë, të apasionuarit pas baletit duhet të paguajnë për të marrë leksione private dhe kjo e bën edhe më interesant faktin që vendasit në Drenovën e një shekulli më parë, ishin kaq familjar në disiplina si Fox- Trot, One Step, që të dyja në kulmin e popullaritetit të tyre gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu valsi ishte pjesë e programit të ballos, ku padyshim nuk mungonte as elementi i valles kombëtare.
Nga detajet vizive të posterit që reklamon këtë organizim, evidentohet qartë se ajo është një ballo familjare dhe në rastin konkret organizohet me një qëllim të caktuar që lidhet me kremtimin e Shenjt Thimiut. Dita e përzgjedhur është e diela, por vëmendjen e tërheq orari i përcaktuar. Me sa duket, drenovarët nuk e kishin problem që zbavitjen ta linin për orët e vona të darkës për sa kohë posteri e shënjon orarin e nisjes së ballos në darkë vonë, nga 20:30 e në vazhdim.
Sigurisht që për pjesëmarrjen në ballo duhej blerë një biletë, e cila sipas posterit reklamues, kushtonte 5 korona, monedha argjendi të cilat janë përdorur deri në mes të vitit 1930. Por sikurse parashikojnë praktikat promocionale të kohëve moderne, pagesa në atë kohë, sikurse ndodh shpesh sot, i takonte mashkullit. Pra, dama ishte e përjashtuar nga pagesa, ndërsa kavalieri duhet të paguante për t’u dëfryer.
Ajo që tërheq vëmendjen është edhe përfshirja në vallëzim e disa kopjeve apo çifteve njëkohësisht. Pak para se të kalohej në minutazhin ekstra, performohej disiplina e kuadriles, kërcim ky që kërkon përfshirjen e katër çifteve në të njëjtën kohë, të vendosur në formë katrore. Një kërcim mjaft popullor në Europë që prej shekullit të XVIII.
Të gjitha këto detaje të përcjella përmes këtij lajmërimi që fton në një aktivitet mondan banorët e një vendi larg kryeqytetit, na sjellin grimca interesante që shfaqin dëshirën pse jo për ta shijuar jetën. Dhe me rëndësi është që jeta mesa duket në atë kohë shijohej në një dimension që është larg realitetit aktual por për fat të mirë me më shumë vlerë kulturore, që sot është thuajse tërësisht e venitur./JOQ.al/