Jeta Osh Qef
Home

“Triller” i Mihal Gramenos/Çifti i ri që u vra dhe kujtimet e trimit të çetës së Çerçizit
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Sat Dec 30

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga MARIN MEMA

Po të mos ishte për Mihal Gramenon, historia e bëmave të çetës së Çerçis Topullit nuk do të kishte shkëlqimin që ka. Në rolin edhe të kronistit të çetës, Mihal Grameno, me dhuntitë e tij prej patrioti të ditur sjell detaje nga jeta, dinamikat, vendimet, të papriturat, organizimi i çetës, të gjitha të përshkruara me detaje nga pena e tij.

Ngjarja e parë zë fill ditët kur çeta e Çerçizit ishte duke zbritur nga malet diku në zonën e Çamërisë. Grameno tmerrin e asaj që u shfaq e quan një pamje të çuditshme të natyrës.

1

Ai rrëfen: 

U rrëzua prej qiellit një dritë aq e madhe, sa u tmerruam që të gjithë. Unë besoj se ishte nonjë trup qiellor…"

Padyshim, e ndodhur sot kjo ngjarje do të studiohej më thellë e me siguri njerëzit aq shumë të dhënë ndaj lidhjes mes shkencës dhe dukurive të tilla, do ta justifikonin me prezencën e ndonjë UFO-je.

Grameno kur përshkruan momentin e përplasjes së këtij objekti qiellor, rrëfen se pas rrëzimit të tij u dëgjua një buçitje shumë e madhe.

Por kjo dukuri nuk i ka stepur aspak luftëtarët e çetës së Çerçizit të cilët e kanë vijuar më tej rrugëtimin e tyre përtej në malet e Libohovës, derisa arritën në një zonë stanesh ku vendosin të qëndrojnë disa ditë. Këtu zë fill një tjetër histori, sa e pabesueshme për kohën aq edhe e dhimbshme…

Përmbi Libohovë ndodhej stani i Çarçanit. Aty luftëtarët e çetës nuk kanë gjetur aspak një situatë të lehtë.

2

Grameno rrëfen:

Mjerisht e gjetmë shumë të brengosur e të helmuar mikun tonë të shtrënjtë, nga shkaku se u kishte ngjarë një dramë familjare, fort e tmerruarë në shtëpi të tyre".

Ajo që në fakt asokohe Grameno e quante dramë të tmerrshme, është sot trend i historive rozë të shoqërisë moderne, ku secili mund ta jetojë jetën si të dojë. Historia ishte se një nga nuset e të bijve të të zotit të shtëpisë kishte shkelur nderin, duke zënë sipas tij udhë të ligë.

Por se çfarë ndodh më pas Grameno e shkruan kështu:

Me t’u vërtetuar me prova të plota përmbi këtë turp, vendosnë bashkërisht, me prindërit e nuses që t’i vrasën të dy të dashurit. Një herë vendosur, virer në veprim vendimi, duke i rojtur një mbrëmë kur u bashkuan nusja me të dashurin, edhe kësisoj i vranë që të dy!"

3

Por kush ishin vrasësit?! Ata ishin i shoqi i gruas me dy vëllezërit e tij, edhe me dy të kunetrit, domethënë me të vëllezërit e gruas. Gramenon e çudit fort kjo dramë, veçanërisht sa i takon mënyrës së përmbushjes së dënimit, por aq më shumë kur pa se babai i gruas së vrarë dhe vëllezërit e saj e mbanin bagëtinë të bashkuar me Çarçanin, vjehrrin që propozoi vrasjen e bijës dhe motrës së tyre.

Dhe si mos mjaftonte kjo, të gjithë bashkë jetonin edhe me një dashuri të madhe me njëri tjetrin…

Sot, kjo ngjarje do të frymëzonte industrinë e trillerit, një histori që ndoshta do të lakmohej për skenar kinematografik, por që mesa duket është aq e vërtetë sa s’ka ku të shkoj. Këto ishin disa nga rrëfimet e Mihal Gramenos. Duken si prapaskenat e një telenovele të gjatë, me detaje aq mbresëlënëse, që për mënyrën se si jetohet sot, mund të ngjajnë edhe sajime, por jo…