Jeta Osh Qef
Home

Aeroporti i Vlorës ngazëllen njerëzit, a do jetë fati i tij i trishtë si i Kukësit?
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 17.01.2018, 11:58

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Kryeministri Edi Rama lajmëroi mëngjesin e sotshëm për ofertën zyrtare të ndërtimit të aeroportit të ri të Vlorës, por pa dhënë shumë detaje në lidhje me ndërtimin e këtij aeroporti apo firmat që kanë shpallur interes.

Më tej ka qenë ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ajo që ka treguar se aeroporti do të ndërtohet në zonën e Akërnisë dhe se oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction.

vlore1

Ndër të tjera bëhet me dije se investimi do jetë privat, pra jo me të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe se puna e kantierit do të nisë në muajin qershor.

Nisja e bisedimeve të para në terma teknikë për fillimin e punës në ndërtimin e aeroportit të Vlorës mund të ketë gëzuar shumë persona, pasi praktikisht, ngritja e një aeroporti të ri sjell pikë së pari një numër të caktuar njerëzish që do të punësohen qoftë në ndërtim, qoftë në mirëmbajtjen dhe funksionimin më pas të aeroportit.

vlore2

Më tej, nëse ky aeroport do të vihet në funksion, ndoshta Rinasi nuk do të jetë më aeroporti me taksat më të larta në Europë, por gjendja mendohet se do të ndryshojë dhe kostoja e biletave e udhëtimeve jashtë vendit edhe mund të ulet.

Pra, fillimisht duket si diçka e mirë, por le të mos harrojmë se jo më larg se viti 2016, u hap dhe u inagurua aeroporti i Kukësit. Një aeroport që ndodhet në veri të vendit, për të cilin u fol me superlativa dhe pati premisa të shumta, por që praktikisht ishte një investim dhe para të çuara dëm, pasi asnjëherë nuk u vu në funksion.

vlore3

Madje, prej një viti u emëruan 38 persona në funksione të ndryshme në këtë aeroport, të cilët nuk shkuan kurrë në punë as një ditë të vetme dhe në fund morën rrogat për të ndenjur.

Edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se aeroporti i Kukësit ndodhet fizikisht dhe është në gjendje të presë avionët e udhëtarët, nuk është fare në funksion.

Le të shpresojmë që të njëjtin fat nuk do të ketë aeroporti i Vlorës, pasi me qeverinë e fasadës tashmë jemi mësuar. Në fund të fundit, shembull konkret dhe mëse real i punëve të fasadës është vetë aeroporti i Kukësit, i cili u ndërtua si godinë, si fasadë dhe i tillë ngeli deri në fund.

kukes

Aeroporti i Kukësit

Presim në vijim për të mësuar më shumë detaje nga mënyra se si do të ndërtohet dhe financohet apo edhe se si do të nisë punë e si do të lidhen kontratat me kompanitë për fluturimet nga Vlora, që ndoshta, për herë të parë t'i themi "Bravo!" qeverisë Rama për një punë të nisur dhe të bitisur!/JOQ.al