Jeta Osh Qef
Home

“Ra ky mort dhe u pamë”. Vuçiç sot përballet me të vërtetën
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Sat Jan 20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Aleksandri madh i Serbisë, Vuçiç, nuk ishte në varrimin e Oliver Ivanoviçit, pavarësisht se ishte "dy hapa larg", në Beograd. Por sot ai është "ngritur me gjithë taborë" për të shkuar qindra kilometra larg, në Kosovë.

Leja iu dha nga autoritetet qendrore me të cilat nuk do të takohet. Qëndrimi disa orësh i Vuçiçit në Kosovë përfshin fillimisht një "takim me Zotin"; vizitë dhe lutje në manastirin Banjska.

Pas Zotit do shkojë tek të përzgjedhurit; do të ketë një takim me përfaqësuesit serbë në Kosovë, në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut. Për ta mbyllur qëndrimin e tij "gju më gju" me popullin, me një takim me qytetarë në Shtëpinë e Kulturës në Llapnasellë.

Por, ndërsa qëndrimi i tij në Kosovë duket më shumë për konsum politik të brendshëm në Serbi, policia e Kosovës është ajo që paguan "haraçin".

Pas urdhëresës së Shtabit Kryesor, policia e Kosovës ka angazhuar një numër maksimal policësh, të cilët do të përkujdesen për sigurinë e presidentit Vuçiç gjatë qëndrimit në tokën e Kosovës. Kjo pasi vizita e Vuçiçit në veri të Mitrovicës për Policinë vendore cilësohet me “rrezikshmëri të lartë” për shkak se vjen në momentin kur ende nuk janë ulur tensionet pas vrasjes së liderit të “Serbia, Drejtësia, Demokracia” – SDP, Oliver Ivanoviç.

Veshët e Vuçiçit sot me shumë gjasa do të dëgjojnë atë që ai e di mirë, se e keqja banorëve serb në Kosovë po ju vjen nga vetvetja.

Aktualisht politikanë serbë të veriut të Mitrovicës, por edhe qytetarët serbë, drejtojnë gishtin nga Millan Radojçiç, për të cilin thonë se është pushteti i vetëm dhe i vërtetë në veri të Kosovës.

Tre prej politikanëve më me ndikim tek serbët e Kosovës, Rada Trajkoviç, Marko Jakshiç dhe Sllavisha Ristiç kanë deklaruar se nga Vuçiç do të kërkohet përgjigje nëse do t’i izolojnë njerëzit që udhëhiqen nga Millan Radojçiç dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët vlerësohen si kapobanda të veriut të Mitrovicës.

Nëse do të goditen kjo kategori, nëse do të zbardhet vrasja e Ivanoviçit dhe nëse kjo ngjarje nuk do përdoret për të "flijuar" apo kushtëzuar më shumë negociatat e Brukselit mbetet për t’u parë.

"Shalëgjati" Vuçiç që një këmbë e ka në BE, e tjetrën në Rusi, me siguri që do të bëjë politikë edhe me vdekjen. Se siç thotë populli: Çfarë del nga macja(politika), minj(rastin)  gjuan…/JOQ.al

v