Jeta Osh Qef
Home

Si e shijonin jetën Ilirët dhe ku ndryshonin me grekët e lashtë?
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Mon Jan 22

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Marin MEMA

Përshkrimi i Ilirëve është i ndryshëm tek shumë autorë të lashtësisë, por ajo që spikat ka të bëjë me faktin se ata dinin ta shijonin jetën e mbi të gjitha ishin mjaft të hapur.

Të dhënë pas kënaqësive, ata shtroheshin në gosti dhe ndërsa pinin mbanin mbështjellë një brez rreth barkut, të cilin e shtrëngonin gjithmonë e më shumë.

Ndryshe nga ç’bënin grekët e lashtë, Ilirët në gosti shkonin sëbashku me gratë e tyre të cilat siç pohojnë disa autorë shpesh në përfundim i mbanin mbi shpinë. Edhe pse këto detaje janë dhënë nga historianët grekë Atheneu dhe Theompopi për të denigruar në një farë mënyre figurën e popullësisë që ata e konsideronin barbare , në fakt kanë bërë të kundërtën.

Kjo sepse shoqeria Ilire duke pranuar edhe gratë në tryeza të tilla, tregonte se ishte më e hapur, se ajo greke, ku bashkëshortet nuk lejoheshin apo dënoheshin me vdekje nëse merrnin pjesë.

Pija kryesore që konsumonin ilirët ishte vera. Ajo që prodhohej nga rrushi quhej "baliska" apo “kokolobos” por në rrethinat e Dyrrahut, nga treva e taulantëve vinte "hidromeli" vera ilirë e bërë nga fermentimi i mjaltit.

Ndërkohë, populli konsumonte birrë dhe sipas historianit romak Amian Marcelinit, pija që përdornin ilirët e varfër quhej "sabaia" dhe kishte përbërje elbi apo gruri.

Kënaqësitë e jetës i shoqëronin me muzikë e valle, ndërsa i binin fyellit dhe kishin një kercim te ngadalshëm të njohur si jambik molos, dy detaje këto karakteristike për dardanët de molosët.Si më të shfrenuarit në qejfe mbahen  ardianët aristokratë, për të cilët thuhet se pinin dhe deheshin çdo ditë, por kjo nuk do të thotë se duhen bërë përgjithësime masive.

Por përtej zbavitjes, Ilirët në Adriatik kishin famë si lundërtarë por edhe piratë duke u bërë zotër të Adriatikut dhe Jonit lindor.

Ata kishin aftësi të mira edhe në ndërtimin e anijeve dhe pikërisht sikurse tregon historiani grek Polybi, ilirët ndërtuan plot 100 të tilla me kërkesë të Filipit V, në vitin 216 para Krishtit.

E pra, që të krijosh kushtet për ta shijuar jetën padyshim që duhet të kesh edhe prirje apo zgjuarsi që krijojnë standardin, cilësi të cilat padyshim që nuk ju kanë munguar Ilirëve.