Jeta Osh Qef
Home

Edhe hidrovoret lahen në internet, 1 miliard e 164 milion lekë për një “grusht” institucionesh
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Wed Feb 14

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mund të duket absurde, por një “grusht” me institucione në Shqipëri, mbi 20 syresh, kanë nevojë për 1 miliard e 164 milion lekë të vjetra vetëm për internet dhe intranet (rrjet të brendshëm në të cilin janë të lidhur serverat, broswerat etj).

Shifra në dukje e çmendur për çdo shqiptar të mësuar që “jallah” të paguajë 10-20 mijë lekë në muaj për internet në familjen e tij, nuk është e fshehtë, përkundrazi, është e shkruar e zezë mbi të bardhë në buletinin e Prokurimeve Publike.

Që prej nëntorit të vitit të kaluar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur prokurimin për blerje shërbimi internet dhe intraneti të përqendruar për atë vetë dhe për institucione publike. Fondi i parë limit, siç shihet në dokumentin e mëposhtëm, ka qenë rreth 307 milionë lekë të vjetra.

Ky ishte loti i parë. Loti i dytë, siç mund të shikoni më poshtë, ka qenë më shumë sesa dyfishi i të parit, rreth 857 milion lekë të vjetra, duke bërë kështu që ky fond në total të jetë përafërsisht 1 miliard e 164 milion lekë të vjetra. Dhe e gjithë kjo për disa zyra, institute dhe agjenci, jo për ministritë.

Duke i hedhur një sy shpërndarjes shikohet se disa institucione do të kenë internet jo për të punuar, por për “ tu larë”. Kështu hidrovoret do të kenë në dispozicion 90 milion lekë internet dhe intranet për këtë vit. Mos pyesni se çfarë i duhen?! E rëndësishme është që edhe ata më në fund do të përmbyten jo vetëm nga uji, por edhe nga interneti.

Ndërkohë që një institucioni si Arkivi Qendror i Filmit i është lënë vetëm 4 milion lekë të vjetra  sivjet internet e mirëmbajtje.

Mesa duket në kuadër të e-Albania-s nga një “copë e mirë torte” i ka rënë edhe Shërbimit Social Shtetëror dhe Shërbimit të Kombëtar të Punësimit, të cilat do të përfitojnë nga 83 dhe 90 milion lekë të vjetra shërbime internet dhe intraneti gjatë këtij vitit.

Ndërkohë që pjesa “ e luanit” duket se do t’i shkojë Hipotekave dhe Institutit të Sigurimeve. Për Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është firmosur një buxhet prej rreth 250 milion lekësh të vjetra, ndërsa për ISSH-në është caktuar një fond prej 140 milion lekësh për backup dhe 22 milion të tjera “për përdorim të përditshëm”.

Ndërsa për vilat qeveritare ka një “faturë” prej 45 milion lekësh të vjetra për këto shërbime, pa bërë me asgjë tjetër.

Por për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh, pa patur nevojë për asnjë koment, mjafton zëri i shpenzimeve për internet dhe intranet i “ish-Presidentit”. Zyrës së ish-Presidentit i është caktuar një fond prej 6 milion lekësh të vjetra për 2018 vetëm për internet dhe mirëmbajtje! Kaq mjafton apo jo, për të kuptuar “sistemin”…

Ndërsa Pallati i Brigadave duhet të kënaqet me 9 milion lekë shërbim internet dhe intraneti. Masë kjo rreth 4 herë më e vogël se ajo e AKU të cilës i janë caktuar 38 milion, apo dhe IKMT-së të cilës i janë “faturuar” vetëm 12 milion.

Ah, të gjitha këto para janë përfituar vetëm nga 3-4 firma. I hëngshin të gjitha palët shëndosh, se siç tha Bujar Asqeriu: Populli ia ka lënë Zotit në dorë!/JOQ.al