Jeta Osh Qef
Home

Vuan nga azma kronike, Amarildos nuk i japin as 30 mijë lekëshin e oksigjenit
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: Wed Feb 14

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Amarildo Hysi vuan prej kohësh nga Azma kronike  dhe arrin të mbijetojë vetëm duke marrë frymë me aparaturë oksigjeni.

I intervistuar nga "Zëri i Amerikës", Hysi ka treguar se ka një gjendje të rënduar shëndetësore, dhe situata e tij financiare nuk po e lejon që të kurohet.

Amarildos i duhen rreth 30 mijë lekë në javë për të blerë oksigjenin, por autoritetet shtetërore ia ndërprenë ndihmën ekonomike, pasi aplikimi i tij dhe bashkëshortes nuk u zgjodh fitues nga sistemi elektronik që Shërbimet Sociale në Shqipëri kanë vënë në funksion prej një janarit të këtij viti.

Ky sistem vlerëson me pikë dokumentacionin që familjet kanë dorëzuar për ndihmën ekonomike. Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës sistemi ka përjashtuar pjesën dërmuese të rreth 1800 aplikuesve ndërsa në të gjithë vendin mijëra familje nuk kanë arritur të përfitojnë ndihmën ekonomike.

Ai ka treguar:

Unë mezi prisja ndihmën e shtetit që të paguaj ujin dhe dritat. Më parë merrja 30 mijë lekë ndihmë ekonomike nga shteti, ndërsa tani na i hoqën dhe ato. Po numëroj orët e vdekjes me oksigjen. Nuk di ku të shkoj të qaj hallet. Problemet i kam nga më të shumtat. Tavani po më bie, jetoj me plasmas."

Nga ana tjetër Drejtoritë e Shërbimit Social kanë pranuar problemet që kanë pasur me sisteme dhe u kanë bërë thirrje personave që nuk ishin përzgjedhur nga sistemi elektronik të riaplikojnë.

Mirëpo për Amarildon 30 mijë lekë nuk mjaftojnë as për t’u mbushur me oksigjen.