Jeta Osh Qef
Home

Taksa e infrastrukturës, Bashkia e Tiranës aplikon kamatë pa bazë ligjore
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: Mon Mar 12

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Foto-kryesore-feature (3)

Bashkitë në vend aplikojnë taksën e infrastrukturës në përqindje të vlerës së investimit, por duket se në mbledhjen e saj nuk ka një unifikim të procedurave. Disa prej tyre madje aplikojnë edhe kamata deri në arkëtim, por kjo bëhet duke mos pasur bazë ligjore.

Një rast i tillë është konstatuar nga Këshilli i Investimeve dhe lidhet specifikisht me rastin e Bashkisë së Tiranës. Sipas Këshillit, Bashkia aplikon një kamatë 0.2% të vlerës që duhet të arkëtohet si taksë infrastrukture nëse pagesa nuk është bërë brenda pesë ditësh.

Në notën teknike të Këshillit të Investimeve thuhet:

Afatet që lidhen me procedurat për pagimin e taksës së infrastrukturës zbatohen në mënyra të ndryshme në Bashki të ndryshme. P.sh. Bashkia e Tiranës aplikon kamatë 0,2% në ditë, për mospagesë të taksës së ndikimit në infrastrukturë brenda afatit fillestar 5-ditor. Kjo masë parashikohet në Vendimin e Këshillit Bashkiak (VKB) Nr.59, datë 30.12.2015 (të ndryshuar), ndërsa Bashki të tjera nuk aplikojnë një sanksion të tillë.”

Mungesa e bazës ligjore

Këshilli i Investimeve ka nënvizuar se aplikimin e kamatës, Bashkia e Tiranës e bazon në një vendim të Këshillit Bashkiak, konkretisht në VKB Nr.59, pika I/d parashikohet se:

Taksa paguhet brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit për miratimin e lejes për punime dhe lëshimit të autorizimit të pagesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Në rast se kërkuesi nuk kryen pagesën brenda 5 ditëve punë nga njoftimi për detyrimin ndaj shtetit sipas ligjit, atëherë për çdo ditë vonesë i llogaritet kamatë 0.2% në ditë e shumës që duhet të paguajë, deri në 30 ditë pune. Nëse në përfundim të këtij afati, kërkuesi ende nuk ka paguar detyrimin, Kryetari i Bashkisë vendos masa të tjera të përshtatshme, deri në revokimin e vetë lejes së miratuar.”

Por vetë Këshilli i Investimeve gjykon se kjo është kapërcim i detyrimit ligjor që kanë zhvilluesit/investitorët për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas Ligjit Nr.107/2014 dhe Ligjit Nr. 9632 datë 30.10.2016 “Për Sistemin e Taksave Vendore” (të ndryshuar).

Vetë ligji Nr.107/2014 dhe Ligji Nr. 9632 datë 30.10.2016 “Për Sistemin e Taksave Vendore” (të ndryshuar) nuk e parashikon një procedurë të tillë dhe as nuk autorizon Bashkitë që të mund të aplikojnë kamatë apo të vendosin afate të ndërmjetme brenda afatit të përcaktuar nga ligji.

Konkretisht në nenin 46/2 parashikohet se:

Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja paguhet përpara dorëzimit të dokumentit të lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës i planifikimit”. Ndërsa Ligji Nr. 9632 datë 30.10.2006 “Për Sistemin e Taksave Vendore” (i ndryshuar) në nenin 27 parashikon vetëm metodologjinë e llogaritjes së takës së infrastrukturës dhe jo mundësinë e vendosjes së kamatës” nënvizon Këshilli i Investimeve.

Konstatimi i Këshillit lidhet edhe me konsultimet që janë kryer me ekspertë të fushës.

Në dokument thuhet:

Sipas analizës së Sekretariat, afati për pagimin e taksës së infrastrukturës është 15 ditë për aplikimet për leje ndërtimi në Bashki dhe 30 ditë për aplikimet për leje ndërtimi në KKT, duke e interpretuar parashikimin e  mësipërm në lidhje me Nenin 4722 dhe strukturën e platformës elektronike e-Lejet. Këto afate duhet të fillojnë të llogariten nga momenti i njoftimit të vendimit të autoritetit përgjegjës për miratimin e lejes, aplikuesit në platformën e-Lejet. Afati 15-ditor në dispozicion të investitorëve për aplikimet që lidhen me Bashkitë, nuk mund të ndërpritet me afate të tjera dhe kamata nuk duhet të aplikohet nëse nuk është bërë pagesa brenda afatit 5-ditor. Bashkia  e Tiranës duhet të presë pagimin e taksës së infrastrukturës brenda këtij afati 15-ditor. Çdo parashikim tjetër është i pabazuar në ligj.”

Bashkitë secila qeveri më vete

Një problematikë tjetër e konstatuar nga Këshilli i Investimeve dhe e lidhur me lejet e ndërtimit dhe funksionimin e sistemit e-leje ka të bëjë me tarifat e aplikimit. Edhe në këtë pjesë, secila nga bashkitë duket të funksionojë si një qeveri më vete, pasi tarifat që aplikohen për të njëjtin shërbim dhe platformë janë të ndryshme.

Këshilli i Investimeve nënvizon:

Konstatohet se tarifa e aplikimit për leje aplikimi nga Bashki të ndryshme është e ndryshme. Disa bashki zbatojnë një tarifë standarde (p.sh.: 2,500 Lekë), ndërsa Bashki të tjera e kanë vendosur tarifën për shqyrtimin e aplikimit për leje ndërtimi në platformën e-Leje, duke marrë për bazë vlerën e investimit (p.sh. Bashkia e Tiranës aplikon një tarifë 1% mbi vlerën e investimit) është e vërtetë që Bashkitë kanë autonominë për të vendosur në lidhje me taksat dhe tarifat vendore nëpërmjet vendimmarrjes përkatëse të Këshillave Bashkiak, por në kushtet kur shërbimi i ofruar nëpërmjet Platformës është në thelb i njëjti pavarësisht vendndodhjes së investitorit, vendosja e tarifave të aplikimit si më sipër është joproporcionale dhe objekt debati.”

Burimi: Monitor