Jeta Osh Qef
Home

E vërteta pas video-mesazhit për Turqinë: Fëmija solidarizohet me moshatarët
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Tue Mar 13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Prej mbrëmjes së djeshme në internet po qarkullon një video, në të cilën shqiptarë të ndryshëm japin mesazhe solidariteti me miqtë e tyre në Turqi. Në video flitet për miqësinë dhe bashkëpunimin në vite mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Por shumë reagime ka ngjallur edhe përdorimi i një fëmije në fund të videos, i cili jep një mesazh solidariteti, në një video, e cila titullohet "Mbështetja për operacionin në Afrin (Siri) nga shqiptarët".

Një titull i tillë të lë të mendosh se kemi të bëjmë me mbështetjen e luftës së Turqisë dhe ushtarëve turq në Siri e në këtë rast, përdorimi i imazhit të fëmijëve shkakton impakt në mbarë popullatën.

Por duket se çdo gjë është keqkuptuar, ndaj në një reagim, kompania që ka publikuar videon, AKM Media Group ka sqaruar gjithçka. Sipas kësaj kompanie fëmija në videon në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse shpreh solidaritet për moshatarët e tij në Turqi që kërcënohen nga terrorizmi.

Reagim i AKM MEDIA GROUP:

Lidhur me publikimin e disa lajmeve për videon e publikuar mbrëmjen e djeshme në Youtube në mbështetje dhe në solidarizim për popullin turk, i cili po kalon ditë të vështira për shkak të sulmeve terroriste dhe operacioneve për pastrimin e tyre AKM MEDIA GROUP deklaron se nuk mbështet dhe nuk ka mbështetur kurrë nxitjen e luftës, aq më tepër kur bëhet fjalë për përdorimin e fëmijëve në këtë mes.

Media në fjalë ka si qëllim rritjen e urave lidhëse dhe të bashkëpunimit mes dy popujve, me miqësi dhe marrëdhënie të hershme.

Fëmija në videon në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse shpreh solidaritet për moshatërët e tij në Turqi që kërcënohen nga terrorizmi.

AKM MEDIA GROUP nuk është një kompani fantazëm dhe mbrojtëse e luftës, por një kompani e cila nxit zhdukjen e terrorizmit dhe vendosjen e paqes për të gjithë popujt.

AKM MEDIA GROUP shpreson që raste të tilla të lajmeve të rreme të mos përsëriten pa burime të sigurta.