Jeta Osh Qef
Home

E vërteta e hidhur që më tha im atë
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Tue Mar 20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

cats

Nga Xhentiana MUSKAJ

Gjatë një bisede me tim atë, ai më çoi në vitin e largët 1990. Më tregoi si ishin ato ditë. "Kam besuar se ishin ditët më të zymta të jetës sime, por unë nuk ika. Kisha besim tek vendi im, tek qyteti im”.

Në fillim nuk e kuptova pse babai im po më fliste për atë vit, vit në të cilin, unë nuk kisha ardhur ende në jetë. Im atë atë vit ishte vetëm 22 vjeç.

“Kisha shpresë, ende ëndërroja si budalla, ndihesha i fortë. Tani nuk ndihem më, nuk kam më guxim të ëndërroj për këtë vend”, tha duke mbajtur lotët.

Shumë pak herë e kisha parë tim atë në atë gjendje, për të qenë më e sinqertë dy herë. Herën e parë kur u nda nga jeta nëna e tij dhe herën e dytë, kur mjekët i thanë të bëhej i fortë sepse dyshonin se i kishte mbetur pak kohë për të jetuar. Ama, të dyja herët kisha parë një sforcim tek ai, një sforcim për të buzëqeshur.

“Nuk ika as në ’97, kur gjithë shokët e m’i ikën ca në Greqi, e ca në Itali. Unë jo! E ndërtova këtu jetën. As për Lotarinë Amerikane nuk aplikova kurrë. Ndihesha i sigurtë në vendin tim. Edhe ty këtu të rrita, por duhet të kërkoj falje. Më fal që nuk ika nga Shqipëria”, tha ai me zëri që i dridhej.

Nuk e kuptova përse babai im më kërkoi falje se nuk iku nga Shqipëria, ndaj e pyeta.

“Se jam prind. Do e kuptosh kur të bëhesh vetë. Se më dhemb shpirti kur të dëgjoj ty që më thua do iki në Gjermani, kur thua mos më kërko të kthehem në Fier se po u ktheva nuk do i realizoj kurrë ëndrrat e mia. Më dhembi shpirti edhe kur më tregove fotot e atij universitetit në Berlin. Më therin ende fjalët e tua, kur më the "është faji yt dhe i njerëzve si ty që votuan për vite me radhë të njëjtët dhe tani pasojat po i vuajnë fëmijët tuaj". Kur më the "përse duhet të rri këtu, për t’u quajtur kazan? CCfarë mund të bëj unë me 350 mijë lekë rrogë në këtë vend?" Ndaj duhet të kërkoj falje.

Kur isha sa ty kisha besim. Tani që mbusha 50 vjeç them "po, duhet të kisha ikur", se do kishte më shumë shpresë në sytë e tu. Do të kisha rritur në vend të huaj, por mbase më mirë. Më fal që nuk ika. Ditët e vitit 1990 apo 1997 nuk ishin më të këqijat dhe zymtat për mua. Janë këto kur si prind duhet të shikoj vajzën time që do të iki nga Shqipëria e vetme, kur ka më shumë shpresë se do të gjejë një të ardhme më të mirë në Gjermani dhe që u dorëzove për ta parë jetën tënde këtu në vendin ku linde. Nuk do të kërkoj të kthehesh më në Fier. Duhet të kisha ikur unë. Do kishe një të ardhme tani. Më fal që nuk ika", më tha babai dhe më përqafoi.

Pas atij përqafimi, ai u largua dhe më la në ballkonin e shtëpisë, ku dikur shikoja qytetin tim. Tani nuk mundem më sepse kanë mbirë pallate si kërpudhat pas shiut. Edhe kujtimet nga fëmijëria, nuk i gjej dot më aty. Nuk e mohoj se fjalët e babait tim më prekën, por mos më fajësoni që nuk dua të jetoj më në këtë vend.

Çfarë mund të bëjë një i ri kur rroga minimale është 200 mijë lekë të vjetra? Ku duhet të gjejë forcë për të jetuar këtu një student/e, kur shikon dhe dëgjon se si fyhen nga pushtetarët pedagogët e tyre? Ku ta gjejnë forcën ata të rinj që e kanë gdhirë mbi libra, kur diplomat këtu fabrikohen? Ku ta gjejnë forcën ata individë që duan artin, kur në teatrin e Fierit ka vite që nuk vihet në skenë një shfaqje me pretekstin se s’ka fonde, por për dreka dhe darka qeveritare ka? Kur teatri në Tiranë shembet e jo rikonstrukturohet? Ku ta gjejë forcën dhe shpresën një i ri/ e re kur ka humbur besimi tek institucionet e drejtësisë dhe tek bluzat e bardha? Ku, kur Shqipëria është renditur në 20 vendet e para më të korruptuara në botë në sondazhin e OKB-së, por mos të harrojmë edhe që të rinjtë shqiptarë janë renditur ndër të parët që vuajnë fenomenin e papunësisë? Pa harrur edhe që jemi renditur si të rinjtë më të palumtur dhe që vuajmë nga stresi.

Ndaj, mbase ikja është e vetmja mundësi që na ka mbetur për të gjetur veten dhe të ardhmen tonë. E ndaj mos fajësoni asnjë të ri apo të re që kërkon të ikë nga ky vend. Duhet të fillojmë t’u kërkojmë llogari atyre që u dhamë votën dhe atyre që po pasurohen me taksat tona, të cilët po shtohen çdo ditë e më shumë.