Jeta Osh Qef
Home

Tirana sapo "shkelmoi" Erion Veliajn me baltë
Shkruar nga: S.Bardhi | Publikuar më: 23.03.2018, 07:52

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Si e fëlliqi qyteti i tij Erion Veliajn?!

Mbrëmë Kryetari i Bashkisë Tiranë na paska shkuar në një studio televizive me baltë në këpucë dhe si për çudi qenka kthyer edhe në objekt bisede.

Në Shqipëri gjithçka jashtë natyrës socio-ekonomike na e tërheq vëmendjen, ç’popull mendjelehtë do mendojë dikush.

Nisma e komunitetit LGTB në shkolla për të mësuar më shumë njohuri rreth tyre përbën skandal në shoqërinë tonë dhe të gjithë po shkruajnë për të, duke lënë në hije gjithë vendimet politike që për hir të vërtetës ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e secilit prej nesh.

Në Kosovë aktualiteti “vlon” nga përleshja dhe përfundimi pas hekurave i një reperi të ri, Fero, ndërkohë që po në të njëjtën ditë Kuvendi miratoi demarkacionin për dhënien e 8200 hektarëve tokë Malit të Zi. Çfarë trishtimi!

Askush nuk u mor me deklaratat e Veliaj, me baltën në këpucë po. Ky është teatri i ditëve të sotme në një kohë kur teatri i vërtetë do kthehet në një kullë biznesi.

Balta në këpucët e Veliajt ishte gjetja më e mirë për të shmangur përgjegjësinë e kryetarit nga 24 kullat që do ndërtohen në kryeqytet, për të shmangur pyetjet e sikletshme rreth persekutimit të shitësve ambulantë dhe për “shfarosjen” e shtresës së mesme nga taksat që kanë vetëm tendencë në rritje.

Me siguri ndonjë nga militantët e partisë nga ka mbirë Veliaj ka menduar: çfarë punëtori ky djalë, direkt nga mbjellja e pemëve në studio.

Ndërsa militantët e partive tjera do jenë pështirosur nga kjo propagandë falsiteti.

Ama, një qytetar i thjeshtë që s’ka lidhje me partitë politike (nëse ka akoma kështu), e di shumë mirë se ajo baltë në këpucët e kryetarit është një turp për të.

Rrugët e Tiranës, metropolit shqiptar, janë plot gropa, baltë në shi dhe tmerr me pluhur kur ka diell.

Nuk ka rrugë të mesme, këpucët e tij nuk tregojnë as sa punëtor (s)është Veliaj, as lëvizje për të tërhequr vëmendjen, por thjesht shpërfaq turp për Tiranën e tij që balta e ka kapluar.

Po, po qyteti “i tij” ja njollosi këpucët kryetarit të bashkisë duke i dhënë një shkelm të mirë, sepse ky qytet është një fshat i vogël që vetëm propaganda mund ta paraqesë si qytet modern.

Mos harroni që sipas shifrave të INSTAT, Shqiptarët paguajnë 300 mln euro taksa mjedisore, ama as kjo nuk ka munduar ta shpëtojë Veliajn nga baltosja e këpucëve, sepse edhe çdo kryeqytetasi tjetër i fëlliqen këpucët sapo shkel jashtë derës së shtëpisë. Kjo është Tirana, jo Viena./JOQ.al