Jeta Osh Qef
Home

"Liqeni do thahet dhe aty do ndërtohen 5 pallate 17-katëshe"
Shkruar nga: S.Bardhi | Publikuar më: 06.04.2018, 17:32

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Në vitin e fundit të mandatit të tij, përkatësisht më 2014, Lulzim Basha asokohe Kryetar i Bashkisë Tiranë firmosi lejen për ndërtimin e 5 pallateve 17-katëshe pranë Digës së Liqenit Artificial, ku 3 kate nga secili pallat do jenë nëntokësore.

Me të filluar gërmimet, filluan edhe protestat qytetare çka shtyu kryetarin e sapoardhur, Erion Veliaj që ta çonte çështjen në gjykatë duke ngrirë vendimin, i cili prej 3 vitesh endej nëpër dyert e drejtësisë.

Pas një orvatjeje qorre, këtë javë Gjykata Administrative e Apelit i dha të drejtë kompanisë së ndërtimit, GENER 2, çka do të thotë se tashmë do fillojë puna për ngritjen e 5 pallateve gjigante.

Ky ndërtim cenon seriozisht ekzistencën e Liqenit Artificial dhe sigurinë publike të mbarë zonës përreth, pasi ai terren fare pranë digës është cilësuar i papërshtatshëm dhe i pa sigurtë nga një raport i Komitetit Kombëtar të Digave dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Edhe pse gjykata e kaloi në heshtje këtë vendim skandaloz, askush nuk ngriti zërin, as qytetarët, as banorët e atyshëm, as shoqëria civile, politika në përgjithësi, por vetëm Bashkia e Tiranës me një njoftim gati thjesht informator.

E kuptuat mirë, këto 5 pallate do çojnë në detyrimin për tharjen e Liqenit Artificial dhe fare mirë aty do dalë një terren ideal që çdo oligark do të donte të ndërtonte qiellgërvishtëset e tij.

Për JOQ.al ka shkruar një qytetar, i cili e njeh mirë fushën:

Ndërtimi poshtë tek diga do shkatërrojë digën dhe do përmbysë gjithë Tiranen e Re dhe me pas këta mafiozë që janë pd+ps+lsi do ndërtojnë në fushën ku tani ekziston liqeni. Ndërtime të tjera, me pak fjalë, kemi të bëjmë me një projekt mbi 400 milionë euro që do shkojnë në xhepat e mafiozëve, në kurriz të jetës së qytetarëve të Tiranës që nuk do kenë më ajër nga mungesa e ajrit dhe shtimi i betonit.

Kjo puna e taksës në Rrugën e Kombit është pretekst për të tërhequr vëmendjen nga ky plan betoni multi-milioner, Lul Basha që u çorr për këndin e lojërave nuk ka thënë një fjalë për këtë vepër mafioze, sepse është se bashku ortak me Edi Ramën. Gjithmonë kur është bërë fjala për betonizimin e parkut kanë hapur “ probleme” tjera për të hequr vëmendjen.”

Siç thotë populli, rraca e politikanëve është e gjitha me një fytyrë, veçse nën ngjyra dhe logo të ndryshme.../JOQ.al