Jeta Osh Qef
Home

Ujërat e zeza shkarkohen në liqenin e Pogradecit
Shkruar nga: G.Hasani | Publikuar më: 12.04.2018, 17:08

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Kur jemi në prag të hapjes së sezonit turistik në qytetet bregdetare apo liqenore, në qytetin e Pogradecit vijojnë të derdhen ujëra të zeza në liqen.

Ndonëse ky problem është ngritur dhe më herët pasi rrezikon shëndetin jo vetëm të turistëve që vijnë për plazh por edhe të qytetarëve që jetojnë aty, asnjë masë nuk është marrë dhe  pompat e hidrovorit  në disa vende të breg-liqenit vijojnë të shkarkojnë ujin e ndotur.

Era e rëndë e ujërave të zeza është shumë e fortë në gjithë zonën, ndërsa brenda pak minutave ujërat me ngjyrë të errët përhapen në gjithë zonën e bregut të liqenit, ku ka plazhe.

Video e mëposhtme ka ardhur në redaksinë e JOQ.al nga një pushues i cili shkruan i habitur nga ky veprim alarmant që po ndodh në qytetin liqenor.

Supozohet se ujrat e qytetit të Pogradecit të cilat prej vitesh derdhen në liqen përpunohen nga impianti i pastrimit te ujrave te zeza te qytetit, mirëpo sistemi i filtrimit ka pasur shpesh defekte dhe ujërat që derdhen ndonëse me ngjyrë thuhet nga autoritetet vendase të mjedisit se janë të padëmshme për liqenin.

Duke pasur parasysh se turistët jo vetëm lahen në liqen, por konsumojnë edhe peshkun special të kësaj zone, alarmant është fakti që askush nuk kujtohet për të ndryshuar filtrat e ujërave.

Ndonëse një nga pikat kryesore gjatë fushatës së Eduard Kaprit, kryebashkiakut të zgjedhur të Pogradecit nga ana e PD-së, ishte pastrimi i bregut liqenor, me të marrë këtë detyrë duket se biznesmeni i zgjedhur në krye të Bashkisë i ka harruar premtimet.

Megjithatë situata vazhdon prej vitesh kështu, që kur në krye të bashkisë ishte Artan Shkëmbi, i zgjedhur si socialist në këtë qytet.

Kryebashkiakët në fjalë janë ankuar shpesh se nuk kanë marrë fonde nga pushteti qendror për të bërë punime.

E ndoshta ky është ndëshkimi për pogradecarët që votojnë gjithmonë në krye të bashkisë, partinë kundërshtare të pushtetit qendror./Joq.al