Jeta Osh Qef
Home

Juli, Simoni dhe Berti vdiqën nga një gropë. Ishin bij nënash ministër Gjiknuri!
Shkruar nga: S.Bardhi | Publikuar më: 02.05.2018, 11:13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Juli Margjini 22 vjeç, Simon Kaza 20 vjeç dhe Bert Marku 17 vjeç nuk e kanë gdhirë mëngjesin e sotëm, sepse pasditen e djeshme humbën jetën në një aksident rrugor në superstradën Laç-Fushë Krujë si shkak i një grope.

Tre të rinjtë po ktheheshin nga Lugina e Patokut ku kishin konsumuar një drekë dhe deri më tani raportohet se shkak i aksidentit fatal është bërë tentativa e Julit për të shmangur një gropë në rrugë.

Po, e lexuat mirë, një gropë në të ashtuquajturën superstradë! Lemeritëse!

Në fraksion minuti 3 të rinj, kushërinj mes tyre humbin jetën nga një gropë në superstradat tona dhe askujt nuk i bën përshtypje.

Fatkeqësia më e madhe është kur një kombi nuk i bëjnë më përshtypje tragjedi të tilla, kur gropat në rrugë shkaktojnë vdekje, kur vënia e tritolit ndodh çdo natë, kur policia i sekuestron bukën e gojës një shitësi në rrugë, kur minatorët vdesin dhe s’kanë ende një status, kur punëtorët e ndërtimit bien nga skela si “mollët kur kalben”, kur tregtarët ulin qepenat se taksat ua kanë zënë frymën, kur prindi bie në burg se s’ka para të paguajë faturat e energjisë, kur shëndetësia të sëmur dhe kur arsimi është luks e shumë fenomene të tilla që i hasim çdo ditë në realitetin tonë.

Ditën e sotme çdo ministër infrastrukture që do kishte postin duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas këtij aksidenti në dukje për shkaqe qesharake , por me pasoja fatale.

Por, jo ministri ynë nuk jep dorëheqjen sepse ka ende miliona për të bërë me tenderat e rrugëve, tendera që vetëm kopsitin llogari bankare, por nuk mbyllin asnjë gropë.

Viti 2018, jemi në Shqipëri, autostrada Tiranë-Elbasan ka nisur punimet që në vitin 2011, supozohej që gjithçka do mbyllej brenda vitin 2017, por punimet janë ende të hapura.

Autostrada Tiranë-Durrës, aksi që ka më shumë lëvizje është katastrofë, gropat e shumta çajnë çdo ditë goma makinash dhe shkaktojnë aksidente. Aty vetëm arnohet!

Rruga e Kombit, projekt i nisur që në vitin 2009, ende e papërfunduar, në këtë autostradë ka akoma seksione ku mungojnë katër korsi dhe ku deri më tani 30 persona kanë vdekur në aksidente automobilistike.

Segmente të autostradës Lushnjë-Fier kanë mungesë sinjalistike dhe vazhdimisht është kërkuar nga qytetarët një ndërhyrje riparuese.

Kur rrugët që lidhin qytete kryesore të vendit janë në këto kushte, ç’mund të thuhet për ato dytësore?! Sigurisht që asgjë.

Ndërsa bota ka çuar asfaltin deri në alpet më të larta, ne nuk e kemi këtë luks as nëpër qytete, se jo e jo e nëpër fshatra.

A ka ndonjë koment zotëri Damian Gjiknuri?! A ndjen turp vallë (se dhimbje jo) që tre bij nënash humbën jetën nga një gropë?!

Fatkeqësisht rruga ku tre djemtë e rinj humbën dje jetën, pra “superstrada” Laç-Fushë Krujë është tejet e amortizuar. Ky është aksidenti i tretë tragjik me pasojë humbjen e jetëve.

Vetëm një vit më parë dy familje ndërsa udhëtonin me një automjet, në tentativë për të shmangur një gropë, përfunduan në kanal. Për pasojë në këtë aksident mbeti i vdekur Lekë Kola.

Ndërkohë, pesë vite më parë, një tjetër aksident tragjik është shënuar në fshatin Adriatik të Kurbinit, në po të njëjtin vend. Në këtë aksident humbën jetën dy persona nga Mamurrasi. Shkak për këto ngjarje tragjike, që kanë tronditur Kurbinin dhe mbarë opinionin publik, është bërë rruga jashtë standardeve, pasi nuk ka barriera mbrojtëse si dhe gropat e shumta. Bëhet fjalë për një rrugën me gjatësi rreth 7 km, e cila është tërësisht e dëmtuar që deri tani ka marrë gjashtë jetë njerëzish./JOQ.al