Jeta Osh Qef
Home

Kabina rrezikonte jetën e nxënësve, drejtori i OSHEE “sakrifikon” pas raportimit në JOQ
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: Fri May 11

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Më 25 prill të këtij viti, pranë redaksisë së JOQ.al mbërriti një raportim në lidhje me një kabinë elektrike të amortizuar, jashtë çdo standardi dhe për më tepër, "të shqyer", e cila rrezikonte çdo moment jetën e banorëve.

Edhe më të rrezikuar ishin disa fëmijë të shkollës së fshatit Konaj, në Fan të Mirditës, pasi kabina ndodhej pranë territorit të shkollës dhe do të mjaftonte një pakujdesi për të shkaktuar fatalitet.

3

Kabina e vjetër në fshatin Konaj

JOQ.al raportoi rastin, për të cilin, fillimisht, punonjësi i OSHEE-së dukej se nuk po i interesonte shumë. Ndoshta nuk kishte asnjë gjë në dorë për të ndërhyrë dhe duhej të jepte një përgjigje serbes-serbes, ndoshta  kishte diçka tjetër më të rëndësishme, a ndoshta nuk e mori seriozisht kontaktin me JOQ.al.

Këtë nuk mund ta themi me siguri, ama mund të tregojmë se jo më shumë së 15 ditë më vonë nga momenti i raportimit, pati reagime.

Kabina u ndërtua dhe drejtori i OSHEE-së, të cilit i kushtoi 547 milionë të vjetra një videowall për zyrën e tij, duket se "sakrifikoi" seriozisht.

1

Kabina e re e ndërtuar pas denoncimit në JOQ.al

Nuk na dhanë detaje se sa ishte kostoja e kësaj kabine të re, e cila duhej të ishte ndërtuar prej kohësh, pa qenë e nevojshme që çështja të bëhej publike në media, por fakti që u ndërtua kaq shpejt pas denoncimit, të lë shumë hapësira interpretimi.

Ndoshta duhen raportuar edhe raste të tjera, për të ndihmuar në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit.

E mbase duhet të themi, në fund të fundit "Faleminderit OSHEE që po bën punën tënde, atë që duhej të bëje prej kohësh!"

Megjithatë, e rëndësishme është që fëmijët e fshatit Konaj dhe gjithë banorët e tjerë nuk janë më të rrezikuar nga kjo kabinë.