Jeta Osh Qef
Home

Skandali me bregdetin shqiptar, kullat e vrojtimit jashtë funksionit
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 03/06/2018 11:49

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pa nisur akoma mirë sezoni turistik një 22-vjeçar u mbyt ditën e djeshme në Gjirin e Lalëzit, Durrës.

Trupi i 22-vjeçarit banues në Tiranë me inicialet E.S u nxor në breg nga dallgët e detit dje rreth orës 12 të mesditës.

Mbytja në plazhet shqiptare është një problem i madh, i cili prevaloi ndjeshëm verën e shkuar ku në të gjitha plazhet aktive janë mbytur pushues, duke shënuar numër rekord.

Dy ishin qasjet ndaj këtyre vdekjeve në plazh, njëra ishte mungesa e rojeve bregdetare dhe e dyta ishte përdorimi i motoskafëve fare pranë hapësirave ku pushuesit laheshin.

Skandali i vdekjes së djeshme është fakti që pak metra larg zonës ku u mbyt 22-vjeçari kishte një kullë vrojtimi, por vetëm si “skelet” pasi që nuk është funksionale, nuk ka shkallë dhe nuk ka një roje plazhi aktiv në detyrë.

Edhe pse është thënë që për çdo 1 kilometër hapësirë të vijës bregdetare do ketë një roje bregdeti, deri tani asgjë nuk është parë dhe ngjasojnë me “ëndrrat e bukura” të Ramës dhe ministrit Klosi, e jo me premtimet reale.

Kjo është dëshmia e një qytetari për ngjarjen e djeshme në Gjirin e Lalëzit:

Përshëndetje JOQ! Për djalin qe u mbyt ne Lalz, ndenji gjysme ore ne rërë. Ishte me shokët e tij dhe ata thane qe ishin futur ne det për tu lare dhe shoku u tërhoq ne ujë, thelle ne një grope te madhe qe e tërhoqi. E kishin ngritur lart, por ishte tepër vone se kishte nisur te nxirte shkume nga goja, shokët u tmerruan dhe me pas e kishin lëshuar.
Këta shokët sa dolën lajmëruan policinë, po u vonuan. Ne breg e nxorën dallgët djalin e mbytur dhe e mbuluan me peshqir.
Morën ambulancën shtetërore dhe i thane qe s’vimë dot se s’ka fillu sezoni, pastaj morën privatin dhe erdhën.
E morën me qese te shkretin, ishte çun i ri nga Peshkopia, ishte skene e tmerrshme.”

Fatkeqësisht kjo verë do nxijë sërish ditët me diell në plazhet shqiptare nga viktimat e mbytura.