Jeta Osh Qef
Home

Edi Rama: Unë e admiroj Erdogan, marrëdhënien tonë nuk e gjen shpesh në politikë
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 13/06/2018 14:00

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë intensifikuar edhe më vitet e fundit duke i lidhur dy shtetet në disa sektorë syresh dhe tashmë Turqia shihet nga qeveria shqiptare si partner strategjik e më gjerë.

Kryeministri Rama ka folur në një intervistë për Anadolu Agency pikërisht rreth marrëdhënieve Shqipëri-Turqi, pa harruar të veçojë Erdogan.

Rama e cilësoi presidentin turk si një njeri me punë të jashtëzakonshme dhe që e admiron.

Kryeministri i vendit është shprehur:

Në politikë nuk ngelet gjë pa u komentuar dhe nëse merresh me politikë duhet të jesh i përgatitur që të gjendesh edhe përballë komentesh apo akuzash të cilat bazohen tek axhendet e atyre që komentojnë dhe akuzojnë, dhe jo te e vërteta. Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo’”.”

Sakaq kujtojmë që shpesh analistët e kanë “akuzuar” Ramën se marrëdhënia e ngushtë dhe flirtimi me Turqinë po bëhet barrë për integrimin e sa mëparshëm në BE.

Ndërsa, çështjen e hapjes së kampeve për refugjatët e Lindjes në Shqipëri, Rama e quajti “fantazi”, megjithëse u shpreh i gatshëm nëse kërkohet nga BE.

Ai tha:

Është thjeshtë një fantazi. Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Evropian nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne.”