Jeta Osh Qef
Home

“Sa mirë që shkova me natë e u ktheva me natë te Kisha e Laçit, ndryshe do çmendesha”
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 13/06/2018 15:35

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Fatjon Gjinaj për JOQ.al

Për kishë t’Laçit, s’ka kishë as xhami që i merr përsipër mëkatet e shqiptarit.

Pas diçka më pak a diçka më shumë se pesë vjetësh, i shtyrë nga dëshira humane për të gjetur pak paqe dhe qetësi shpirtërore (i frustruari me makthet e përditshmërisë që mundohet të përdor çdo mjet e rrethanë për t’a larguar mendjen prej tyre, por pse jo, edhe për t’u lutur diku që fundi i marrëzisë shoqërore ku vrasjet, grabitjet, vjedhjet, prostitucioni, trafikimi njerëzor e narkotik, mashtrimet, abuzimet… devijancat dhe devijimet prej rregullave dhe normave ligjore, morale e humane se paku të vijnë duke u zbehur), u gjenda mbrëmjen e djeshme deri në orët e para të mëngjesit të ditës sotme në mesin e mijëra (mbase qindra-mijëra), pelegrinëve tek Kisha e "Shna Ndout" në Laç.

Nga im atë kam dëgjuar shpesh të thotë se, "tempujt fetar nuk janë për njerëzit e ndershëm, të drejtë, që s’i kanë rá n’qaf ‘ kujt… ato janë strehë e atyne që s’kanë lan’ gja pa mrekullu, e shkojnë se ua rren menja se Zoti ka me i fal. Ka nji Zot, e s’kam nevojë me e lyp se e di ku asht…"

Natyrisht, si dikush që beson në Zot (por që beson gjithashtu se as Ai vetë nuk është aq i "zoti" sa Zoti), këto fjalë të tim ati i kam kritikuar, shpesh herë edhe i kam etiketuar si egoiste.

Por le të kthehemi ku e nisëm. Që kur hyje në qytet e deri në majë, ku s’shkohet më tej askund veçse të zbresësh nga ke ardhur, duhej të kaloje përmes një kalvari të ngjeshur e të gjatë njerëzish dhe plehrash të cilët dhe me të cilat bashkë-udhëtonin si bijtë e të njëjtës nanë e të të njëjtit babë, turra-vrap natës së zezë skëterrë ku blicet ishin ato që fiksonin diku me dashje e diku pa dashje tragjikominë e një verbërie milionëshe në numër njerëzor e tre-katër fish milionëshit në numër mbetjesh të panumërta.

E gjithë kjo nuk ishte e gjitha, ndoshta e përgjithshmja po. Fati im i mirë ishte se shkova me natë e u ktheva me natë. Imagjinoni sa fish i dërrmuar do të kthehesha sikur t’i kisha parë fytyrat e secilit prej atyre që pasi mbushnin plancin me ushqim e lëngje, i hidhnin mbetjet kuturu.

Të kisha parë fytyrat e çikave të zhytura në momente reflektimi, faljeje e pendese ku blicet që derdheshin hera-herës mbi to nxirrnin në pah ‘hiret’ femërore të gjysmë-mbuluara/zbuluara;
të kisha parë fytyrat e djelmoshave prej zverkut të të cilëve kutërbonte era e konsumimit t’hashashit;
të kisha parë fytyrat e atyre që fusnin duart nëpër xhepat, çantat dhe portofolet që s’kishin kurrë-farë lidhjeje me ta;
të kisha parë fytyrat e bark-derrave që lusnin Shenjtin e Shna Ndue për mëshirë por gremisnin si djaj e prej muzhdëve u kutërbonte era e rakisë dhe e qofteve;
të kisha parë fytyrat e fëmijëve të sfilitura nga marrëzia e prindërve të tyre;
të kisha parë fytyrat e atyre që s’linin fjalë nga fjalori i librit të shpisë pa nxjerrë për goje;
të kisha parë fytyrat e lypsave për të kuptuar se kush rren e kush jo, pse jo për të pyetur fshehtazi Zotin që rri fshehur se nga vijnë këto krijesa dhe pse kur je kaq i mirë sa je i lë në këtë farë feje; të kisha parë fytyrën e atyre që u shkëlqenin kilet e floririt në qafë, gishta e duar;
të kisha parë fytyrat e njerëzve të armatosur me apo pa uniformë që lëviznin lart e poshtë e poshtë e lart përmes lumit të njerëzve;
të kisha parë fytyrat e përgjumura mbase të shitësve ambulant, të shoferëve që shtynin njerëz me parakolpe e prapakolpe fugonash rrangallë zhurma e të cilëve dëgjohej në Laç, kur ato niseshin nga kisha dhe tek kisha kur niseshin nga Laçi; dhe në fund, të kisha parë fytyrat e klerikëve e meshtarëve misioni i të cilëve kishte dalë prej shinave.

Sa mirë që shkova me natë e u ktheva me natë, ndryshe nuk do kthehesha i tronditur dhe i dërrmuar siç u ktheva, por i çmendur fare, ore i luajtur prej fiqirit po ju them! Mbase po t’i kisha parë ato fytyra, sot s’do përshëndesja njeri në rrugë, nuk do konsumoja kafé me dikë, nuk do përdorja vijat e bardha, nuk do mundja të ushqehesha, do trokisja për tu qethur tek thertorja,,, dhe më e keqja nuk do iu vija xhel flokëve!!!

Po babi, ti ke të drejtë në një far’ mënyre. Mbase edhe bie dakord me ty, por me një kusht: të më thuash se ku dreqin është ky Zot…!!!