Jeta Osh Qef
Home

Kompania “Blue Panorama” tallet me shqiptarët, lë 120 pasagjerë rrugëve nga ora 3 i natës
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03/07/2018 15:39

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një tjetër skandal ka ndodhur me një prej kompanive që operon në tregun shqiptar, sa i takon fluturimit dhe më konkretisht, bëhet fjalë për kompaninë "Blue Panorama".

Fluturimet e ditës së sotme të kësaj kompanie nga Tirana, në drejtim të aeroportit të Malpensas në Milano, janë anuluar pa paralajmërim dhe pa dhënë një shpjegim më parë.

Të shumtë janë qytetarët që kanë shkruar në redaksinë e JOQ.al për të raportuar problemin e tyre. Ata thonë se janë rreth 120 udhëtarë, mes të cilëve edhe të moshuar, persona të sëmurë, gra shtatzënë e me fëmijë të vegjël, të cilët presin prej orës 3 të natës për të fluturuar në destinacion.

Mirëpo, pasi fluturimi i orës 6:30 të mëngjesit është anuluar në moment të fundit, pa dhënë asnjë shpjegim mbi arsyet, si përherë, kompania u ka kërkuar pasagjerëve të zgjedhin një fluturim drejt aeroportit të Torinos ose të Bergamos, dy aeroportet që janë më pranë aeroportit të Milanos.

Se kush do t’ua mbulojë shpenzimet e udhëtimit nga këto dy aeroporte drejt destinacioneve të tyre në Milano, askush nuk ka dhënë zgjidhje, por do të mos mjaftonte kjo, kompania "Blue Panorama" sërish e ka lënë pjesën më të madhe të udhëtarëve në pritje.

Duke qenë se aeroporti i Bergamos është më pranë Milanos, pjesa më e madhe e udhëtarëve zgjodhën atë, në krahasim me Torinon, duke bërë që sërish një numër i madh i udhëtarëve të ngelin në pritje e të mos nisen drejt Italisë, pasi kanë paguar biletat në aeroportin me çmimet më të shtrenjta në rajon.

Kështu, fluturimi drejt Malpensas i orës 06:30 të mëngjesit, u shty për një fluturim drejt Torinos për në orën 12:15, por shumë pak persona u nisën.

Të gjithëve atyre që ngelën, iu tha se do të fluturonin drejt Italisë në orën 14:50. Ka kaluar ora 15:30 dhe ende askush nuk është nisur. As lajmërim nuk ka dhënë kush.

Por duhet ta pranojmë, jemi në Shqipëri dhe me dashje apo pa dashje, problemi në funksionimin e shtetit dhe ligjit lënë hapësira që kompani si "Blue Panorama" me shoqe, të tallen ashiqare me djersën, paratë dhe vetë shqiptarët!

Blue Panorama: Kemi problem teknik

Nëpërmjet kësaj letre dëshirojmë mbi të gjitha të shprehim keqardhjen e t’ju kërkojmë ndjesë për vonesat  që ndodhën gjatë fluturimeve  sot. Për arsye të një  problemi teknik që nuk varet nga vullneti i operatorit, e për ti dhënë  pasagjerëve tanë siguri e konfort në fluturim, ishte i domosdoshëm  zëvendësimi i  avionit  i destinuar për të operuar këto fluturime.

Kompania jonë ka aktivizuar në mënyrë të menjëhershme të gjitha burimet e nevojshme teknike dhe ekonomike me kosto disa herë më të larta duke gjetur zgjidhje alternative për të përmbushur  detyrimin ndaj pasagjerëve, duke siguruar operimin e fluturimit në kohën më të shkurtër të mundshme me një tjetër avion të tipit Boeing 767 me 300 vende i cili operon fluturime  ndërkontinentale.

Theksojmë që gjatë pritjes në aeroport pasagjerëve i është ofruar suport sipas rregullores europiane të të drejtave të pasagjerit 261/2004, gjithashtu është siguruar ndihmë adekuate nga personeli ynë  i cili, për aq sa ishte e mundur, punoi për të zvogëluar shqetësimin e të gjithë pasagjerëve.

Për më shumë sqarime të gjithë udhëtarët e prekur nga vonesat  mund t’i referohen "Të drejtave të pasagjerit " të shpërndara sot nga stafi ynë në aeroportin "Nënë Tereza" .

Do të donim t’ju kujtojmë se niveli i performancës teknike të Blue Panorama Airlines, i certifikuar nga autoritetet kompetente, është më shumë se 98%, krahasuar me kompanitë më të mira evropiane.

Me keqardhje ndaj ndodhisë së sotme, duam të shprehim përzemërzisht mirënjohjen tonë!