Jeta Osh Qef
Home

Për një kilometër rrugë të shtruar shqiptarët do të paguajnë 16.2 milionë euro
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 19/07/2018 7:45

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë vetëm 225.8 milionë euro për rrugën Thumanë-Kashar, e cila është dhënë me koncesion, por shumë më tepër.

Kanali "Top Channel" ka publikuar shpalljen e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës, sipas të cilës fatura e rrugës mund të arrijë deri në 337.5 milionë euro, duke përfshirë interesat dhe tarifën shtesë që do i paguhen kompanisë për mirëmbajtjen e rrugës për 13 vjet.

Rruga Thumanë-Kashar do të ndërtohet me koncesion nga kompania “Gener 2”. Kjo kompani do ta ndërtojë rrugën me paratë e veta, më pas qeveria do e shlyejë më këste për 13 vjet.

Vlera prej 225.8 milionë eurosh e bërë publike në tender është vetëm kostoja e ndërtimit të rrugës. Por meqenëse kjo vepër do të ndërtohet me fondet e vetë kompanisë, përveç vlerës bazë qeveria do t’i paguajë asaj edhe një interes vjetor prej 5.2 për qind si dhe një tarifë shtesë për mirëmbajtjen e rrugës gjatë 13 viteve të ardhshme.

Rrjedhimisht në total kostoja e rrugës pritet të shkojë deri në 337.5 milionë euro, siç është vendosur në shpalljen e kontratës. Rruga Thumanë-Kashar është vetëm 20.8 kilometra e gjatë. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë do të paguajnë 16.2 milionë euro për çdo kilometër të kësaj rruge duke përfshirë interesat dhe mirëmbajtjen për 13 vjet.

Burime konfidenciale nga qeveria thonë se vlera finale do të dalë vetëm pas negocimit të kontratës. Por sipas tyre nëse përfshihen interesat, që pritet të jenë mbi 5 për qind si dhe tarifa e mirëmbajtjes atëherë vlera finale do të vërtitet rreth kufirit të parashikuar në shpalljen e kontratës, pra afro 330 milionë euro.