Jeta Osh Qef
Home

E bukura dhe bisha në Valbonë
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 28/07/2018 10:16

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një udhëtim në Valbonë, mes bukurive dhe madhështive natyrore që mahnisin të huajt e vendasit dhe shokimit para shprishjes, ndryshimit të habitatit natyror dhe shkatërrimit që po vjen nga dora e njeriut…

Për të shkuar në të bukurën Valbonë duhet të ndjekësh rrugën drejt Bajram Currit (nga kryeqyteti) për të marrë tragetin e Komanit. Ose përmes Rrugës së Kombit nga Kosova dhe sërish në kufirin tonë në Tropojë. Ndoqëm të parën dhe përballja e parë me realitetin shqiptar ishin rrugët jo të mira. Thonë se për të arritur një mrekulli, rruga për të është e vështirë.

Besojmë këtë shprehje dhe vijojmë rrugën. Mbërrijmë në Koman. Fillimisht, një mesoburrë të cilin nuk e njihnim na afrohet duke kërkuar 100 lekë, taksë portuale; teksa zgjatej karvani i makinave që po prisnin për t’u parkuar në tragetin që do të na kalonte në anën tjetër. Pagesa e një makine në këtë traget ishte 3000 lekë, ndërsa një pasagjer duhet të paguante 1000 lekë (fëmijët, falas). Nisja ishte në orën 12:00.

Por, edhe në këtë moment e treguam “virtytin” tonë të moskorrektësisë së orareve, duke qenë se nisja u shty me të paktën, 40 minuta. Të gjithë pasagjerët prisnin në tavolinat e vendosura në dy katet e tragetit dhe ku patën mundësi të shijonin peizazhin dhe të flisnin me njëri-tjetrin. Mjafton të shihje rrotull për të kuptuar që ky traget po transportonte njerëz me etni të ndryshme: italianë, norvegjezë, gjermanë, arabë, si dhe emigrantë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Europës, të cilët prisnin që të vizitonin Valbonën.

Liqeni i formuar nga ndërtimi i digave në lumin Drin jo vetëm furnizon vendin me energji elektrike, por ka potencial të shndërrohet në gjurmimin më të mirë turistik që Shqipëria mund të ofrojë. Malet në të dy anët e rrugës janë nga 1,000 deri në 1,500 metra dhe pamja që të ofron është e mrekullueshme, terren i paprekur për shekuj. Në fytyrën e të huajve lexohej shprehia e habisë nga bukuritë natyrore, përmes të cilëve po udhëtonim. Fotografitë ishin të shumta.

Por, jo të gjitha shkrepën anën e bukur të këtij udhëtimi. Pak para se sa trageti të ankorohej, teksa vëzhgonim edhe varka të vogla, me njerëz që peshkonin, një zonë e madhe e Komanit ishte e mbuluar krejtësisht me plehra. Një kontrast aq i fortë me bukurinë e maleve përreth. Po aq i habitshëm ishte fakti që të huajt ishin më të ndjeshëm me këtë situatë. Siç do të jenë edhe në vijim me çdo gjë që do të shihnim nga një fundjavë në Alpet Shqiptare. Shqiptarët, si të mësuar tashmë me pamje të tilla me mbetje e plehra, nuk patën kohë të shfaqnin asnjë reagim. Tashmë, zbritën!

E bukura dhe bisha


Nuk po flasim për filmin e famshëm, që ka dalë nga imagjinata e një shkrimtari francez të shek 18-të. Bëhet fjalë për Valbonën tonë të bukur. Lugina tërheq aq shumë vizitorë vitet e fundit, madhështia e së cilës gjendet në malet kryelarta shqiptare, dëshmitarë ndër vite të aq shumë heronjve dhe gojëdhënave.

Tani janë dëshmitarë të një tjetër ndodhie, e shprishjes, ndryshimit të habitatit natyror dhe më keq, e pranisë së një HEC-i në ndërtim e sipër! Sapo tabela të sinjalizon lumin e Valbonës, mirëseardhjen ta urojnë kamionët dhe betonierët, të krye të detyrës.

Kontrasti i dytë që shohim në këtë udhëtim. Më pas, pak metra më tutje, vihen re të gjithë tubat të cilët janë bërë gati për t’u vendosur në punë. Ndonëse nisi shiu, errësirën në rrugë nuk e shkaktonte mungesa e diellit, por pikërisht kontrasti i zymtësisë së betonierëve, tubave dhe ekskavatorëve, pluhurit që po nxirrnin në rrugë, përballë kaltërsisë e pastërtisë së lumit të Valbonës. Në 25 km rrugë që përbëhet e gjithë gryka e Valbonës, janë disa kantiere ndërtimi që po punojnë, në kulmin e sezonit veror, si “bisha” përballë së bukurës natyrë, që të huajt kanë marrë udhën ta vizitojnë.

Kontrasti
Lugina tërheq aq shumë vizitorë vitet e fundit, madhështia e së cilës gjendet në malet kryelarta shqiptare, dëshmitarë ndër vite të aq shumë heronjve dhe gojëdhënave. Tani janë dëshmitarë të një tjetër ndodhie, e shprishjes, ndryshimit të habitatit natyror dhe më keq, e pranisë së një HEC-i në ndërtim e sipër!

Si kërpudhat pas shiut
Rrugës për në destinacion, pa kaluar mirë shijen që të lënë betonierët e HEC-it, shumë ndërtime hotelesh duken në horizonte, në korije apo kodra, të cilët kanë lulëzuar me ritme aq të shpejta, sa është thuajse e pamundur që të mos shohësh një ndërtim pranë pemëve hijerënda. Ndërtimet po bëheshin edhe për shtëpi të ndryshme, kryesisht të vogla.

Rruga e rikonstruktuar deri në Fushën e Gjësë i ka dhënë një shtysë për punimet e ndërtimit (rreth 6 vite më parë ka qenë terren i vështirë), por nga ana tjetër, ka ngritur gjithashtu pikën e parë të pyetjeve, jo vetëm për historinë e ‘çmendur’ të ndërtimit të hidrocentraleve, por edhe për ndërtimin e hoteleve pa kriter. Këto ndërtime në këtë luginë që dikur konsiderohej tërësisht e virgjër, (jo më larg se 8 vjet), legjitimohen nga kërkesat në rritje të turistëve për të vizituar këtë zonë.

Por, siç një gjerman më thotë në një tavolinë më tutje, pasi mbërrita në hotelin që zgjodhëm, shqiptarët kanë bërë diçka gabim. “Vërtet ne dëshironim hotele për të qëndruar, se jo më larg se tre vite, një miku im gjerman, pasi bëri hiking në Theth, përfundoi të flinte në çadër, pasi as këtu nuk gjeti dhoma të lira. Por, sipas natyrës duhej edhe ndërtimi. Mua nuk më pëlqen ai krevati me tapiceri lëkure që fjeta mbrëmë. Do të preferoja një druri”, – thotë Henry, një burrë gjerman, rreth të 50-ave, i cili shoqërohej nga e shoqja dhe dy fëmijët. Në fakt, mbulesa e krevateve “Pierre Cardin Paris” ishte një luks i tepërt, që sigurisht reflektohej me rritjen e çmimit me thuajse 50% brenda 4 viteve (një dhomë standard dopjo kushtonte 35 euro nga 25 mijë lekë).

Fusha e Gjësë si zonë është zgjeruar dhe kapaciteti akomodues i hotelit me të njëjtin emër është rritur. Por në fund, ata vijnë këtu për natyrën dhe jo për dhomën e hotelit. Ata vijnë për çajin e malit, mjaltin e luleve dhe të gështenjës, produktet e qumështit, flinë tradicionale, mishin e qengjit apo të kecit, ajrin e pastër dhe një atmosferë tjetër qetësie, për t’u larguar nga jeta moderne.

Në të gjithë bujtinat që do të ndaloni për të konsumuar një vakt, duhet të keni parasysh diçka: Nuk ka ujë të ambalazhuar. Uji mbushet në burim dhe është i freskët, gati i akullt edhe në mes të korrikut. Nëse pini një gotë uji, pas një dreke të bollshme, ka shumë gjasa të ndiheni të uritur shumë shpejt. Në mbrëmje, temperaturat bien dhe veshja duhet të jetë si një paraprijë për vjeshtën. Në këtë fushë, Valbona është e fshehur gjatë verës. Telefonat nuk kapin sinjal. Nuk ka internet dhe në hotel nuk ka TV. Megjithatë, sërish, nuk ua ndien nevojën.

Sportel informacioni, i mbyllur
Pak pasi kalojmë një tabelë që tregon se duhet të përshkojmë 11 km për të shkuar në Theth dhe pak metra pasi kaluam Luginën e Valbonës, dhe po drejtoheshim për në Fushën e Gjësë, vumë re një shtëpizë të bukur druri. Dy kate, me shumë dritare dhe tabela të mëdha përpara. Banorët na thonë se është sporteli i informacionit për turistët për këtë zonë. Por, është mbyllur. Jemi në pikun e sezonit për turistët. Ne shqiptarët, këto situata i kalojmë krejt lehtë, ecim me fjalët e gojës, me orientimet e banorëve që pyesim rrugës, me pazaret që bëjmë me një të ri të zonës, i cili na thotë “sa t’ju lind në zemër me jepni dhe ju çoj unë atje”. Por, të huajt janë krejt ndryshe. Marrin frymë thellë dhe shohin të lexojnë mirë aq pak tekst anglisht që kanë në tabelën e vendosur jashtë shtëpizës – sportel info. Turistë, kthehuni herë tjetër (po u kthyet), jemi mbyllur edhe kur duhet të jemi më të pranishëm se kurrë!

Shërbimi
Shqiptarët duan të fitojnë shpejt. Por, në ekonomi termi ‘fitim’ është shumë më kompleks se kaq. Këtë gjë e vënë në dukje edhe Gjergji me Rozën, dy shqiptarë të cilët prej thuajse 15 vitesh jetojnë në Finlandë. Është hera e parë që vizitojnë Valbonën, pas shumë vitesh që ua këshillojnë miqtë e tyre. Së bashku me dy fëmijët, 6 dhe 2 vjeç, vendosën që të kalonin një fundjavë në këtë vend magjepsës, por edhe me kontraste. E para që u shkaktoi habi, ishte ndërtimi i hidrocentralit.

Nuk ishin në dijeni të këtij fakti dhe nuk arritën që të konceptonin se si mund të shkatërrohet natyra në këtë mënyrë. E dyta, që vunë re, është çmimi i lartë i hotelit kundrejt një shërbimi të ulët. Sipas tyre, me të njëjtin çmim, do të kishin marrë shumë më tepër shërbim cilësor në Greqi apo Turqi. Pastaj, ndonëse shqiptarë vetë, nuk i kapërdinë lehtë vonesat në ardhjen e porosisë së ushqimit, tjetërsimit të porosisë, komunikimit të çalët të stafit të hotelit apo restorantit e të tjera si këto. Sipas tyre, shqiptarët duan të mbajnë “më shumë kunguj në një sqetull” sesa munden në të vërtetë.

Çfarë të vizitosh


Në të dy anët e rrugës në të gjithë Luginën e Valbonës, malet janë mbresëlënës dhe aq të lartë, sa jo të gjithë fotografët, mund të kapin shkëlqimin e tyre. Kot nuk thonë, janë shpikur fjalët për të përshkruar atë që syri nuk kap dot.

Edhe shkrimtarët më të zotë do të ndiheshin të pafuqishëm për të përshkruar bukurinë e luginës së Valbonës. Duhet vizituar. Por, çfarë pikash mund të shihni në këtë Luginë?

Një ndalesë do të ishte Ura e Mullirit (ura në fakt është thuajse e rrënuar), që ju jep mundësinë të shijoni ujin e Valbonës, një nga vendet e pakta ku mund të bëni fotografi për të treguar se fjalët që përshkruajnë lumin mund të jenë të pakta, por të vërteta. ‘Perëndia’ në këtë rast është aparati fotografik apo telefoni.

Kur ngre kokën lart, ti i sheh malet që thuajse takojnë retë. Uji aty është i akullt dhe të gjithë që ndalojnë, vendosin që të prekin me këmbët e tyre këtë ujë të kthjellët kristal. Përpos që duan ta pinë. E të gjithëve u lind një pyetje: ka dhjetëra lloje markash vendase apo të importuara të ujit të paketuar, por nuk ka ujë Valbona …?

Një tjetër ndalesë pak metra më tutje ishte Liqeni i Xhemës. Apo siç sinjalizon tabela e vendosur si tërheqje për turistët: James Lake, 200 metra. Për ta vizituar këtë bukuri natyrore që pylli mbart në brendësi, do të duhet të ecësh mes shtigjeve dhe në fund, një zbritje pak e pjerrët prej 50 metrash. Ja ku përpara të del Liqeni i Xhemës. Ata që kanë pasur mundësi që ta vizitojnë disa vite më parë, do të mund të shihnin se niveli i ujit ka rënë dhe shkëlqimi i kristaltë në një ngjyrë të lehtë të gjelbër, është zbehur. Dëshmitë edhe të disa plehrave aty rrotull, japin arsyet pse ka ndodhur kjo gjë (pjesërisht).

Ujëvara e Valbonës


Një ndër atraksionet më të bukura për të gjithë aventurierët që do të vizitojnë Valbonën është Ujëvara. Nga Fusha e Gjësë deri tek ujëvara e Valbonës do t’ju duhet të udhëtoni rreth 30-40 minuta me furgon ose një mjet të lartë si Jeep, ndërsa një tjetër rrugë ju pret që ta bëni në formë ngjitjeje, për rreth 40 minuta. Shoferi i furgonit që na shoqëroi për në destinacion, pasi negocioi për çmimin (duhet pasur parasysh që turistët shqiptarë, negociojnë shpesh për çmimet) na tregonte rrugën përmes gurëve të dalë nga shtrati i lumit.

Shtrati i lumit mbulohet vetëm me gurë, por reshjet e vjeshtës dhe pranverës në të dy anët e luginës gjithashtu mund të shkaktojnë përmbytje, duke qenë se shtrati është shumë i gjerë. Shkolla e vjetër në Fushën e Gjësë e dëshmon këtë. Djathtas, mund të shikoje disa shtëpi të vjetra të Fshatit Rrogam dhe fusha shumë tërheqëse për të pushuar apo për t’u argëtuar.

Sapo zbresim, mirëseardhjen ta uron një ndërtesë modeste prej druri, ku Lavdija dhe Bukurija, dy motra, presin turistët në këtë zonë që quhet Gjelaj. Mëngjesin zgjedhim ta hamë në këtë bujtinë. Lavdija jetonte në Tiranë, por për çdo sezon piku veror, udhëtonte drejt Valbonës për të ndihmuar të motrën. Atë çfarë këto dy malësore ofronin (veç zemërgjerësisë dhe mikpritjes malësore) ishin produkte bio që turistët i pëlqejnë aq shumë.

Për mëngjesin tonë, qumështi ishte i sapomjelë nga dhia në këtë lëndinë dhe i vendosur në tavolinën e sajuar me një dërrasë dhe si karrige, drunj pemësh të prera. Djathi ishte po i përgatitur nga duart e tyre, së bashku me mjaltin e mbledhur në kosheren aty pranë, si dhe vezët e freskëta. Pasi morën energjitë e duhura, nisemi. Si udhërrëfyes na shoqëroi djali i njërës prej malësorëve, duke qenë se e njihte zonën shumë mirë. Megjithatë, nuk ishte e vështirë të mbërrije në destinacion, pasi rruga ishte e shënuar me bojë të kuqe, në drunj apo gurë.

Rruga ishte e gjitha me thyerje të forta, rrugë e drejtë, zbritje, sërish ngjitje. Por, mundi ia vlejti. Pas 40 minutash ecje (me pushime të vogla, udhërrëfyesi e përshkonte për 20 minuta), të dilte përpara ujëvara… e cila të mbetet gjatë në mendje. Zhurma mbresëlënëse që të shoqëronte të gjithë rrugës, u bë më e fortë kur ishe përballë saj. Uji dukej sikur oshtinte më shumë në praninë tonë dhe fotografitë ishin gjëja e dytë (pasi u mbushëm mirë më frymë) që bëmë aty.

“Me merrni në Viber”
Shoferi i furgonit që na shoqëroi për tek Ujëvara, kujdeset të na japë e kartëvizitën e tij në kthim, se veç kësaj pune, ai kishte edhe një bujtinë apo ‘guess house’ të përshtatur me kushtet bazë, për të cilën na tha se “negocionte sërish për çmimin”. Ndonëse ne i thamë se e kishim një hotel ku qëndronin, malësori ia priti natyrshëm “hë se do vini vitin tjetër prapë”. Një siguri që as ne nuk e kishim, por që njerëzit që merren gjatë me turistët në Valbonë, diç dinë. Ai na tha rrugës se në hotelin e tij, ishte kujdesur që të kishte sinjal të fortë telefonik për të gjithë abonentët dhe sidomos, internet të mirë. “Kosovarët vijnë shpesh te ne, disa herë në vit. Viber në telefon për ta e instalova, ku e dija unë bre se ç’a ish kjo gja. Duhet me e pas për ta, edhe për turistë të tjerë. Kemi hap edhe Facebook. Njerëzit më shumë na shkruajnë mesazhe aty se sa na telefonojnë”, – tha ai.

Shitet toka


Kush e mendonte, një treg, pasuri e patundshme shumë joshëse edhe 251 kilometra larg kryeqytetit. Kjo zonë mendohet të ketë rreth 500 banorë, por tabela e shitjes së tokës apo ndërtesës, nuk u drejtohet atyre. Ajo tabelë është si një karrem drejt peshqve, si biznesmenëve që duan të investojnë në një bujtinë/hotel me kapacitete apo gjellëtore/restorant. Rreth 15 minuta pasi u nisëm nga Fusha e Gjësë, një pjesë e madhe e tokave përreth kanë tabelën “Shitet Toka”.

Në njërën prej tyre, toka e nxjerrë në shitje ishte 4500 metra katrorë dhe sipas informacionit nga komunikimi me të zotin, çmimi për metër katror është 50 euro. “Toka ime është 4500 metra, çmimi është 50 euro për metër katror. I kam të gjitha me dokumentacion, certifikatë pronësie të rregullt”, – thotë i zoti përmes telefonit, i cili na siguron se me 225 mijë euro, mund të shndërrohet në një hotel me oborr të bollshëm me kapacitet të lartë.

Vendasit thonë se në dy vitet e fundit ka filluar të lëvizë tregu imobiliar këtu, me shtimin e numrit të turistëve, ndërsa çmimet kanë variuar 40-50 mijë lekë metri katror, i cili në vitin 2018 është kthyer në euro.

“Fli me porosi”


Nuk bëhet fjalë për gjumin, ndonëse të gjithë që lexojnë tabela të tilla të vendosura në çdo hotel apo bujtinë në të gjithë Valbonën, vështirë se e kuptojnë për çfarë bëhet fjalë.

Në fakt, flija është një pjatë tradicionale e Veriut, që është shndërruar në një aset për tërheqjen e turistëve, për të cilën porositë janë të shumta. Një tavë fli kushton 3500 lekë, por kostoja është shumë më e lartë, pasi koha dhe mundi për ta gatuar, sipas grave vendase, s’ka të paguar. Sipas traditës, flija piqet në saç dhe duhet shtruar petë pas pete derisa të mbushet e gjithë tepsia. Nga ana tjetër, edhe mjalti, djathi apo erëzat janë ndër produktet kryesore që vendasit synojnë të shesin gjatë sezonit me turistë.

“Not fancy vacations”
Valbona nuk rezervon pushime trendy dhe as mbrëmje të gjalla, përgatituni për këtë. Dhe në fakt, admiruesit e turizmit të aventurës dhe të natyrës, e dinë mirë. Ajo që ju pret mbrëmjeve në Valbonë është një zjarr bubulak përreth të cilit mblidhen njerëzit në natyrë, aty ku priren që të qëndrojnë më tepër se sa në muret e hoteleve apo bujtinave. Ju pret edhe një malësor mesoburrë (me shokë përreth) që ia merr çiftelisë, e denjë për të kumbuar karshi maleve të larta.

Ju pret edhe një lojë domino apo tavëll, për të cilën i zoti i hotelit kujdeset personalisht që ta sjellë, sidomos në tavolinat me shumë burra, nga ku priten e porosi pijesh më tepër. Pastaj, në rast se dëshironi që të soditni yjet apo një shëtitje pas orës 21:30, bëni mirë të testoni pulsin. I zoti i hotelit lëshon nga zinxhirët dy qentë e tij të mëdhenj, racë shqiptare e pastër “sharri”, që ua kallin datën edhe vetë ujqërve. Jemi në javën e dytë të muajit korrik, në ditët më të nxehta të stinës së verës në Shqipëri, por i ftohti i maleve na bën të strukemi më herët në bujtinat tona.

Gjatë kthimit për në Tiranë, kur përmendëm Valbonën me të tjerë vizitorë, ajo çfarë shndërrohet në objekt shqetësimi është: po vitin tjetër, kur të rikthehemi, a do të jetë ruajtur ndopak apo vërshimi i ndërtimit do ta ketë tjetërsuar? Po vitin tjetër, kur të shkojmë, sa hidrocentrale do të jenë? Historia shqiptare pas viteve ’90 ka dëshmuar se një ndërtesë në vendin e “gabuar” mund të shkatërrojë gjithçka. Sa blloqe apartamentesh në plazhin e Durrësit dhe Golemit kanë mbetur bosh? Nëse duam që Alpet Shqiptare të mbushen me turistë dhe pushues që të kthehen sërish në këtë destinacion, a duhet të heqim dorë nga tullat dhe betoni?

Nga Deada HYKA