Jeta Osh Qef
Home

“Jam me kancer në mushkëri, pjek misra për të blerë ilaçet”
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 06/08/2018 14:13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Prej 28 vitesh Bajame Zelia ka punuar si sanitare në shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Pas një jetë të tërë punë në shërbim të të tjerëve, ajo priti t’i gëzohej pensionit, qetësisë dhe t’i përkushtohej nipërve e mbesave.

Por jeta është plot me të papritura. Sapo doli në pension 62-vjeçarja mësoi se vuante nga kanceri në mushkëri. Të gjitha shpresat e dëshirat iu shuan dhe për të nisën plot sfida dhe vuajtje të tjera, të cilët sipas 62-vjeçares janë më të vështirat me të cilat është përballur ndonjëherë.

Rreth 9 muaj më parë ajo iu nënshtrua një operacioni në mushkëri për të hequr masën tumorale dhe për fat e përballoi me sukses.

Bajame thotë për gazetën "Shqip":

Kisha 4 muaj që kisha dalë në pension dhe po bëja punët në shtëpi. Në spital ne bënim vizita dhe analiza çdo 6 muaj dhe më dilnin mirë. Duke bërë punët në shtëpi, më binte fshesa nga dora, ndihesh shumë e lodhur, djersija dhe kisha dhimbje në gjoks, doja vetëm ajër. Një javë më këtë dhimbje të tmerrshme. Shkova u vizitova te Dispanceria. Nga atje më çuan urgjent për të bërë një skaner në Sanatorium. Më shtruan direkt dhe u operova pastaj. Kam qëndruar 1 muaj në spital.”

Sot ajo jeton me mjekime dhe kontrolle të vazhdueshme. 62-vjeçarja tregon se ilaçet i merr falas, por nuk arrin dot të përballojë shpenzimet për kryerjen e ekzaminimeve të tjera, si skaneri. Ajo tregon se është sorollatur disa herë dhe nuk ka rritur dot ta bëjë skanerin.

62-vjeçarja rrëfen:

Jam operuar në mushkëri nga kanceri. Desha të bëja skanerin, por po më sjellin vërdallë. Shkova të ambulanca e lagjes, por nuk më dhanë rekomandim. Më thanë që shko të ambulanca e madhe (Poliklinika e Specialiteteve numër 3). Isha atje dhe mjekja nuk ma dha rekomandimin për skaner, duke më thënë që shko merre te lagja.
Më kanë thënë për skaner dhe nuk po e bëj dot. Dy herë që shkova kështu ma kanë bërë. Unë nuk kam fuqi, e sëmurë më kancer në gjithë këtë vapë të vij vërdallë nëpër ambulanca e spitale. Në privat nuk e bëj dot se kushton shumë shtrenjtë dhe kam ngel pa e bërë. Me mjekime, me ilaçe jam, nuk kam qenë mirë të them të drejtën.”

Për fat të keq ajo sot nuk po shijon atë pension e shumëpritur, pasi për të përballuar shpenzimet e mëdha detyrohet të shesë misra në rrugë. Kostoja e jetës sipas saj është shumë e lartë dhe sëmundja i ka shtuar edhe më shumë shpenzimet.

Çdo pasdite, në zonën e Treshit në njësinë numër 11 në Tiranë, del Bajamja me të shoqin për të shitur misra.

E moshuara përfundon:

Shpenzimet janë të mëdha, pensioni nuk më del për të mbajtur veten dhe jo më fëmijët që i kam të papunë. Burri është pa pension, ndihmë ekonomike nuk na japin. Nuk kam ç’të bëj, dal shes misra këtu në rrugë për të marrë ndonjë lekë."