Jeta Osh Qef
Home

Aksidenti me dy viktima/ Bashkia Kamëz, akuza Policisë: Keqinformuat, është absurde të thoni se…
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 09/08/2018 13:17

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një ditë pas aksidentit fatal që ndodhi në Kodër Kamëz, ka reaguar bashkia e Xhelal Mziut, e cila hedh akuza mbi Policinë e Shtetit për keqinformim për vendndodhjen e saktë të aksidentit.

Në aksident mbetën të vdekur 2 persona, një vajza 7-vjeçare dhe një 29-vjeçar, e plagosur një 6-vjeçare, e cila ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mamaja e dy vajzave. Nëna e dy vajzave është në gjendje më të mirë dhe ka kërkuar që të shkojë në varrimin e të bijës.

Bashkia Kamëz shprehet se vendi ku ka ndodhur aksidenti nuk e përfshin Kamza, por Tirana.

Por fakt është që në atë rrugë mungon çdo sinjalistikë dhe kalimi i përgjegjësisë si nga Bashkia Kamëz si nga ajo e Tiranës nuk e shpërbën këtë gjë.

Reagimi i plotë:

Bashkia Kamëz, ngushëllim familjarëve, reagim ndaj raportimit dhe informimit dashakeq nga Policia e Shtetit dhe disa mediave

Shpesh raportohet për ngjarje të kronikës ose jo, si të ndodhura në Kamëz kur realisht kanë ndodhur në Tiranë. Bashkia Kamëz sqaron se territori i Bashkisë Kamëz kufizohet më Bashkinë e Tiranës tek rrethrrotullimi i Universitetit Bujqësor të Tiranës

Bashkia Kamëz së pari u shpreh ngushëllime familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur në aksidentin e djeshëm në Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje, Bashkia Kamëz sqaron opinionin publik se aksidenti nuk ka ndodhur në territorin e saj, siç ka raportuar dje Policia e Shtetit, dhe informuar media, duke e bërë këtë nga dashakeqësia apo ndoshta nga mungesa e informacionit.

Por po ndodh disa herë e njëjta gjë si në rastin e kësaj ngjarjeje tragjike, ku raportohet për ngjarje të ndodhura në Kamëz, pavarësisht se është në territorin e një njësie tjetër vendore. E kundërta ndodh për ndonjë ngjarje pozitive në territorin e Bashkisë Kamëz, të cilën e raportojnë që ka ndodhur në Tiranë.

Përgënjeshtrojmë median, se Bashkisë Kamëz, Policia e Tiranës t’i ketë dërguar shkresa të vazhdueshme për sinjalistikën e rrugëve, të cilat realisht ndodhen në territorin e Bashkisë Tiranë. Është absurde që Bashkisë Kamëz t’i jenë dërguar shkresa për sinjalistikën e rrugëve, të cilat nuk i ka në juridiksionin e saj, atë segment rrugor (kryqëzim) siç raportohet nga policia dhe informohet nga media.

Dashakeqësia e qëllimshme e mediave apo e Policisë së Shtetit, e cila i informon jo saktë, për të disatën herë, kur ndodhin ngjarje tragjike, në territorin e Bashkisë së Tiranës, në një segment rrugor që është të paktën 2 km në brendësi të Tiranës?! Një segment rrugor i cili jo vetëm që është kthyer në një burim aksidentesh, por edhe është shkas për bllokimin e trafikut.

Në raste të tilla informacionet duhet të saktësohen nga gazetarët, pavarësisht nga burimi i informacionit që mund të jetë edhe abuziv, dhe duke qenë se zbresin në terren për të marrë të dhënat është në misionin e tyre fisnik të informojnë sa më saktë publikun e gjerë për t’u mos mjaftuar me një deklaratë të rreme të strukturave të Policisë së Shtetit si në rastin konkret.