JOQ Albania
Home

“Krenar që ndalova spastrimin etnik në Kosovë”, Clinton nderohet me titullin “Urdhri i Lirisë”
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 11/06/2019 21:48

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka dhënë një kontribut të paçmueshëm për pavarësinë e Kosovës dhe ndalimin e spastrimit etnik.

Në 1999-ën ai dha miratimin për nisjen e bombardimeve në nga NATO. Tashmë pas 20 vitesh, Clinton ka shkelur në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Në një takim me presidentin Hashim Thaçi, Clinton tha se Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër ndërkombëtare.

Clinton u shpreh:

Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur. Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju shpallët pavarësinë.

Ndërkohë Clinton u nderua nga Thaçi me titullin "Urdhri i Lirisë, për merita të veçanta.

Ndër të tjera ai shtoi se ndihej krenar që ishte president, në kohën kur është marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Clinton tha:

Unë gjithmonë do të jam krenar me faktin se unë isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngritet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm.

Më tej ai u  shpreh se e gjithë bota duhet të jetë krenare me aritjet në Kosovë, demokracinë e saj dhe ndërtimin e shtetit.

Nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen e tij për Clinton, ndërsa e cilësoi edhe si heroin e Kosovës.

Thaçi tha:

 Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë, shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe njëherë. Prandaj, duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, por edhe si mik i juaj, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës “Urdhrin e Lirisë”. Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuajin, sepse dekorimi më i madh është liria e Kosovës.

Mirënjohje Clintonit i shprehu edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky i fundit u shpreh:

Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e shtetit, Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë, ku do të marrin pjesë në ceremoninë e 20 vjetorit të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë nga trupat e NATO-s. Kjo ditë shënon edhe çlirimin e Kosovës.