JOQ Albania
Home

Vdes babai i Eminem, historia e urrejtjes mes tyre dhe pse s’u takuan prej dekadash
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26/06/2019 17:50

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Babai i Eminem, Marshall Bruce Mathers ka ndërruar jetë në moshë 67 vjeçare, dekada pas takimit për herë të fundit me të birin.

Burri, i cili ishte babai i reperit më të famshëm në botë, ndërroi jetë këtë javë në Fort Wayne, në Indiana.

Fqinjët tregojnë se ai pësoi atak kardiak në shtëpi.

Ai dhe Eminem kanë pasur një marrëdhënie të ngrirë dhe nuk kanë folur me njëri-tjetrin për vite me radhë.

Sipas TMZ, Marshall u martua me mamanë e reperit, Debbie, kur ajo ishte 15 vjeçe ndërsa ai 22.

Ata sollën në jetë Eminemin dy vite më vonë, por u ndanë pak më pas, kur burri u zhvendos në Kaliforni dhe solli në jetë dy fëmijë të tjerë, Michael dhe Sarah.

Nga ana tjetër, Eminem shkoi me të ëmën në Detroid, tek familja e saj, nga ku edhe nisi karrierën si reper.

Bruce Mathers vijoi luftën e tij me alkoolin, teksa shkonte në një qendër alkoolistësh anonimë, për tu rehabilituar.

Mungesa e të atit dhe sjellja e tij negative u bënë shpesh herë subjekt të këngëve të Eminemit, përfshirë edhe këngën e famshme “Cleaning out my closet”.

Eminem ka treguar se shpesh, kur ishte i vogël, në shkollë dhe e tallnin, i shkruante letra të atit, por ato nuk mbërrinin kurrë në destinacion dhe i ktheheshin pas.

Bruce u bë i gjallë për të birin në vitin 2001, kohë edhe kur tentoi ta kontaktonte, teksa Eminem kishte nisur karrierën e tij.

Ai tha se pasi kishte mësuar që i biri ishte bërë i famshëm, ishte prekur.

Bruce shprehej në atë kohë:

Dua të takoj tim bir dëshpërimisht dhe ti them atij që e dua. Nuk më interesojnë paratë e tij. Dua thjesht të flas me të. Dua që ai të dijë se jam këtu për të dhe të më lejojë të hyj në jetën e tij”.

Në një letër të hapur shkruar të birit, Bruce thoshte:

Përshëndetje bir! Ti mbase nuk më mban mend, por unë të kam mbajtur në krahët e mi kur ishe bebe. Mund të mendosh se të kam lënë ty dhe mamanë tënde dhe se kurrë nuk u ktheva për t’u kujdesur për ju. Ti je i bindur se jam i dehur dhe asnjëherë nuk i ktheva përgjigje letrave të tua. Dua të lexosh këtë dhe të kuptosh se je ushqyer me gënjeshtra gjithë jetën. Tani do të dëgjosh të vërtetën për herë të parë.
Dua vetëm të të jap një përqafim dhe të të them se gjithmonë të kam dashur. Do të merrja një avion tani, në këtë moment dhe do të shkoja kudo në botë, ku ti do të doje të më takoje.”

Por Eminem refuzoi të dëgjonte të atin teksa thotë për mediat se kurrë nuk e ka njohur atë dhe kurrë nuk ka pasur qoftë edhe një foto të tij.

Ai shprehet:

Kam dëgjuar që im atë do të më kontaktojë dhe të më takojë, por jo tani. Nuk kam marrë kurrë një letër prej tij. Nuk kam marrë kurrë një gjë prej tij. Mendoj se mund të ishte munduar të paktën të më shkruante. Mund të kishte bërë diçka të vogël”.

Gruaja e dytë e Bruce, Teresa Harbin tha në vitin 2001:

Marshall nuk e ka parë të birin që kur ai ishte një fëmijë i vogël. Ka vetëm një foto të tijën, teksa e mban në krahë. Të dy nuk janë takuar që prej momentit që kanë bërë këtë foto dhe Marshall do të donte shumë ta takonte edhe një herë. Eminem e ka bërë shumë të qartë që nuk do as ta shikojë e as ta takojë, për momentin”.

Burimi: Mirror |Përktheu dhe përshtati: JOQ Albania