JOQ Albania
Home

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, arrestohet në Durrës miku i bandës së Lul Berishës
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10/07/2019 13:55

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Zyrën e Interforcës së Policisë Italiane, kanë bërë të mundur arrestimin e 49-vjeçarit, Ermir Dervishi, i cili rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Dervishi është dënuar nga gjykata italiane me burgim të përjetshëm, për një vrasje të kryer në vitin 1999 në shtetin italian.

49-vjeçari është një emër i njohur për policinë, pasi njihet edhe si mik i bandës së Lulzim Berishës.

Ai pritet të ekstradohet drejt Italisë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit të Alessandrias, në datën 18.02.1999.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit në faqen e "Facebook" thuhet: 

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale “Vrasja". Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane, pas informacioneve të mara dhe një pune të mirëorganizuar, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Ermir Dervishi, 49 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi Ermir Dervishi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit të Alessandrias, në datën 18.02.1999 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale "Vrasja". Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme".