JOQ Albania
Home

U përdhunua për tre vite nga i ati, 18-vjeçarja rrëfen tmerrin: Policia më kërcënoi se do të më arrestonte
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 10/07/2019 20:26

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mbrëmjen e djeshme emisioni investigativ "Fiks Fare", publikoi rastin e një 18 vjeçareje, e cila ishte abuzuar seksualisht dhe ishte dhunuar nga i ati i saj për tre vjet me radhë. Sikur të mos mjaftonte kjo, nëna nuk e kishte besuar kur i kishte treguar ngjarjen dhe për të mbuluar turpin kishte vendosur që ta fejonte.

Vajza nuk ka gjetur shpëtim as te policia, pasi babai i saj i kishte shokë efektivët që operonin në zonë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, vajza është shprehur se me ndihmën e  një avokati në Tiranë kishte bërë denoncimin.  Më tej ajo thotë se u detyrua të tërheqë denoncimin për shkak të presioneve.

Ajo u shpreh:

Unë kam vajtur në polici para disa muajsh dhe bëra një denoncim nëpërmjet një avokati në Tiranë. Denoncimin me avokat e bëra në Tiranë, sepse në qytetin ku jetoj jam fare e pambrojtur. Pasi bëmë denoncimin, një polic aty e mori babain në telefon dhe i tha që ka ardhur një dosje e zezë për ty, ndaj duhet të vish ta shikosh me patjetër. Babai shkon aty dhe i lexon të gjitha. Më merr në telefon dhe më thotë: Duhet të vish. Do të vij mamaja të të marrë”. Shkoj në polici dhe policia më kërcënon: Nëse nuk ka prova, ti do të arrestohesh, sepse akuzohesh për një denoncim të rremë. U detyrova ta tërheq denoncimin brenda një jave, sepse nuk kisha asnjë provë.

Më tej vajza duke mos pasur asnjë provë, vendos që të regjistrojë të gjithë bisedat me të atin, i cili i kërkonte që të kryenin marrëdhënie seksuale, edhe pasi ajo ishte fejuar. Pas zhgënjimit nga policia, vajza pa mediat, si të vetmen rrugë shpëtimi.

Vajza shton:

Babai i mësoi të gjitha se kush e bëri denoncimin, me cilin numër u bë denoncimi, dhe me çfarë linje dhe profili Facebook-u u bë denoncimi. Këto të dhëna në shtete të tjera janë mjaft private, ndërsa në qytetin tonë dolën të gjitha.

Menjëherë pas denoncimit në "Fiks Fare", babai u arrestua nga policia. Ai ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve të vajzës së tij, edhe kur ajo ishte drejtuar te TCH. Gjithashtu vajza shprehet se e ka denoncuar të atin edhe më parë për kultivim të lëndëve narkotike, por që kishte dalë shpejt nga burgu. Edhe pas denoncimit, i ati vazhdonte të kërcënonte vajzën teksa i thoshte se nuk kishte ku të shkonte dhe në fund do përfundonte sërish në duart e tij.

Vajza ndër të tjera thotë:

Qofsha vajza e fundit me këtë lloj historie dhe shpresoj që shumë vajza të tjera, që janë në të njëjtën pozitë, le ta bëjnë edhe ato një denoncim të tillë dhe mos të frikësohen nga askush.

Ndërkohë policia nuk bëri asnjë koment për ngjarjen, pasi sipas saj tashmë ka filluar një hetim nga prokuroria për rastin.