JOQ Albania
Home

Stuhia e papritur shënon 6 viktima në Halkidiki të Greqisë, mes tyre 2 fëmijë
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 11/07/2019 7:58

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një stuhi e fuqishme që ka përfshirë Halkidikinë në Greqi ka sjellë pasoja fatale në njerëz.

Erërat e forta, shiu dhe stuhia e breshërit në Halkidiki, afër qytetit të Selanikut, kanë shënuar 6 viktima, mes tyre dhe dy fëmijë.

Të vdekur kanë mbetur, dy çekë, dy rumunë dhe dy rusë, të gjithë turistë në rajonin e Greqisë veriore.

Nga stuhia kanë mbetur gjithashtu rreth 100 persona të tjerë të lënduar dhe për këtë u shpall gjendja e jashtëzakonshme duke u angazhuar 140 punonjës të emergjencave civile të shpëtimit.

Charalambos Steriadis, kreu i mbrojtjes civile në Greqinë veriore e përshkroi stuhinë si një “fenomen të paprecendent”.

Stuhia në Halkidiki erdhi pas një moti shumë të ngrohtë në Greqi, ku vetëm dy ditët e fundit temperaturat shënonin mbi 37 gradë Celsius.

Imazhet e postuara në rrjetet sociale tregojnë se pemët janë thyer, makinat janë përmbysur dhe shumë ndërtesa janë dëmtuar.

Athansios Kaltsas, drejtor i Qendrës Mjekësore "Nea Moudania”, i cili trajtoi shumë të lënduar tha:

Është hera e parë në karrierën time 25 vjeçare që kam përjetuar diçka të tillë. Ishte kaq e paritur!”

Një dëshmitar i cituar nga transmetuesi ERT tha se stuhia shkatërruese kishte zgjatur vetëm për rreth 20 minuta.

Një grua rumune dhe fëmija i saj u vranë kur çatia e një restoranti u rrëzua në Nea Plagia, thonë zyrtarët, ndërsa një burrë rus dhe djali i tij u vranë nga një pemë në rënie afër hotelit të tyre në vendpushimin bregdetar të Potidës.

Kujtojmë që stuhia e papritur goditi mbrëmë edhe jugun e Shqipërisë, ku fatmirësisht nuk janë shënuar dëme njerëz por vetëm dëme materiale.