Me një regjim jo të rregullt ushqyerjeje dhe me aktivitet fizik të kufizuar, Ertoni, pa kuptuar, e pa veten të futej në kategorinë e njerëzve mbi peshë. Ishte vetëm 105 kg dhe 172 cm i gjatë. Atëherë, ai i premtoi vetes se me vullnet do t’i hiqte qafe kilogramët e tepërt.

Sot, Erton Kaleshi (Pedagog në Fakultetin Ekonomik) është 37 vjeç dhe ka një peshë normale prej 78 kg, ndjek një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe është shumë aktiv fizikisht.

-Keni një peshë normale, por nuk keni pasur përherë këtë trup. Kur ishte momenti që   u bindët se kishit shtuar shumë në peshë dhe filluat të ndiqnit një regjim tjetër ushqimor?

Unë mora makinë rreth vitit 2004 dhe çdo lëvizje e bëja me makinë. Lëvizja shumë pak duke pasur makinën dhe që nga ai moment fillova të merrja peshë. Më parë kam qenë diku rreth 80 kg dhe më pas arrita në 2014 në peshën maksimale 105 kg.

Nuk është se kisha ndonjë problem shëndetësor (përveç se kolesteroli apo element të tillë mund të më dilnin pak të lartë, por jo diçka për t’u shqetësuar), por në një moment të caktuar vendosa që të dobësohem.

Fillova të kërkoja në internet dhe të shihja çfarë mund të bëja dhe pashë se 70 përqind e të gjithë punës për të arritur qëllimin ishte regjimi ushqimor.

Element tjetër ishte dhe lëvizjet që duhej të bëja.

-Cili është regjimi ushqimor që ndoqët? A u konsultuat me ndonjë dietolog apo specialistë të fushës në këtë pikë?

Vendosa dhe fillova një regjim ushqimor. Nuk është se bëra ndonjë konsultë me dikë të caktuar, thjesht kërkova në internet dhe atje pashë dietën e Dukan-it. Një rreth miqësor më dërgoi librin që ishte i publikuar. E lexova atë libër dhe fillova ta zbatoj.

Ishte i orientuar drejt proteinave dhe karbohidrateve e më shumë drejt sallatës. Fillova ta zbatoj duke marrë ushqime proteinike siç është mishi i pulës apo peshku, të shoqëruara edhe me sallata të caktuara. Te sallatat kam shumë kujdes për atë çfarë përmbajnë sallatat, se nëse ato i mbushim me majonezë, vajra etj. i merr njëlloj kaloritë.

Mendoni se çelësi në rënien tuaj në peshë është pikërisht ushqimi apo edhe aktiviteti fizik?

Element tjetër shumë i rëndësishëm është që hoqa dorë nga makina. Çdo lëvizje që e bëja fillova ta bëja vetëm me këmbë. Kisha si synim që të bëja minimalisht 10 km në ditë duke ecur në këmbë.

Pastaj filloi të më shtohej dëshira dhe pashë se një element tjetër që ndihmonte shumë në pakësimin në peshë ishte palestra, kështu që u fokusova shumë në palestër. Në fillim e kisha pak problem dhe bëja 20 minuta palestër me elektrostimulim, dy herë në javë.

Edhe instruktorin e kisha shumë të mirë, që më stimulonte dhe më jepte premisa për të vazhduar më shumë, kështu që me fillimin e kësaj lloj jete për rreth 9-10 muaj arrita të shkoja nga 105 kg në 80 kg dhe pak më tej në 70 kg.

Tani jam 78 kg dhe përpiqem të vazhdoj të kem regjim ushqimor të njëjtë, duke hequr dorë nga brumërat, nga orizi, nga makaronat, nga buka dhe duke u fokusuar te mishi i pulës, peshku dhe te sallatat.

Si ishte regjimi juaj ushqimor përpara se të binit në peshë?

Më parë ushqimi ishte pak i çrregullt. Më kishte kapur rutina e përditshme e punës: çohesha në mëngjes dhe punoja duke anashkaluar mëngjesin. Në drekë mund të haja diçka të shpejtë ose jo dhe e gjithë pesha, konsumimi i vakteve shkonte drejt darkës.

Në darkë, kur kthehesha në shtëpi rreth orës 20.00 filloja të merrja të tërë ushqimet që lija pa marrë gjatë ditës. Haja derisa të ngopesha dhe e kisha të pamundur të flija gjumë nëse nuk ngopesha.

Haja çfarëdo lloj gjëje: makarona, oriz, bukë dhe kjo mënyrë ushqyerjeje, si dhe moslëvizja për shkak edhe të përdorimit të makinës, më çoi në rritje të peshës.

Po tani, cili është regjimi juaj ushqimor sipas vakteve?

Si fillim u përpoqa të stabilizoj vaktet. Mëngjesi është shumë i rëndësishëm. Drekën u përpoqa ta haja në orar dhe me ushqimin që doja dhe duhej të haja. Fillova të ha ndonjë vakt të ndërmjetëm dhe darkën ta ha shumë të lehtë.

Në mëngjes sapo çohem marr suplementet e vajit të linit dhe të farave të zeza, konsumoj rreth gjysmë litri ujë me xhinxher dhe me limon.

Rri rreth 15 minuta dhe konsumoj dy të bardha veze, pasi përmbajnë shumë proteina. Ajo që tregoj kujdes janë të verdhat e vezës se kanë kolesterol, por veza është ushqim perfekt. Pastaj, në drekë konsumoj fileto pule ose gjoks gjeldeti me sallatë, apo peshk me sallatë, të zier me avull ose në skarë.

Përsa i përket peshkut kam qenë i fokusuar te salmoni, pasi ka të gjithë ingredientët që i duhen trupit dhe që janë shumë të mirë për periudhën që je në dietë: merr proteinat e duhura, yndyrnat e duhura të pangopura, që i absorbon vetë trupi.

Në darkë fokusohem te ndonjë sallatë e lehtë ose ha kos me tërshërë. Kam rreth dy vite që e kam ruajtur këtë lloj regjimi.

Kohët e fundit kam shtuar shumë edhe frekuentimin në palestër.  Në palestër shkoj zakonisht në mbrëmje, pasi mbaroj të gjithë punët që kam. Palestra në momente të caktuar mund të të japë edhe uri, por mundohem të fokusohem te ky regjim ushqimor.

Kur kam uri pas palestrës dhe dua të ha e alternoj ushqimin që konsumoj duke ngrënë herë fileto pule dhe herë mish gjeldeti, pastaj nëse kam prapë uri, në një moment të dytë mundohem të konsumoj edhe kos me tërshërë.

-Kujt ia atribuoni më shumë rënien në peshë, regjimit ushqimor apo palestërës dhe aktivitetit fizik?

Në rradhë të parë duhet të kesh vullnet. Po nuk pate vullnet do ta ndjekësh këtë regjim një apo dy muaj dhe do ta lesh. E kam fillua këtë regjim nga tetori 2014 dhe vazhdoj akoma. Por, të gjithë elementët janë të ndërthurur.

Nëse do të bësh vetëm regjim ushqimor, do të vijë prap një moment që trupi do të ketë arritur të krijojë rezistencë ndaj regjimit ushqimor dhe po nuk e shoqërove me elementë të rinj nuk do të arrijë më rezultatet e dashura. Kjo rënie në peshë duhet të shoqërohet domosdo edhe me aktivitet fizik, pasi edhe trupi, edhe lëkura do ta humbin elasticitetin.

Trupi në dobësim nuk duhet të humbasë masën muskulare, pasi është shumë e dëmshme. Masa muskulare duhet të shtohet dhe duhet të humbasë masa dhjamore. Masa muskulare është shumë mirë të shtohet se harxhon edhe më shumë kalori.

-Çfarë këshillash do t’u jepnit të gjithë atyre që duan të bien në peshë?

Elementi kryesor është vullneti për t’u ushqyer shëndetshëm dhe duhet të merren patjetër me aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është element shumë i rëndësishëm. Duhet të keni parasysh që aktiviteti fizik duhet filluar dhe vazhduar gjatë gjithë kohës.

Nuk mund të themi që po vjen vera dhe të fillojmë të përgatisim trupin për verëm,por duhet të përgatitemi në mënyrë të vazhdueshme. Unë vetë e kam hequr fare makinën nga përdorimi. Rrugën nga fakulteti në shtëpi e bëj në këmbë dhe jo vetëm. Përpiqem të eci mesatarisht rreth 17-18 km (afërsisht 20 mijë hapa) në ditë./Shije.al