Jeta Osh Qef
Home

Kërkoi azil në Finlandë por mori ekspuls, shkodranin e “izolojnë” në Shqipëri
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 13/09/2018 12:19

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nëse keni dëgjuar nga kryeministri që me të klikuar në portalin “e-albania” u zgjidhen të gjitha hallet, një i ri nga Shkodra e hedh poshtë këtë tezë.

Për më tepër ai ka shkuar nga dera në derë në shumë institucione dhe akoma është pa një përgjigje.

Për më tepër lexoni gjithë avarinë e të riut, e cila ka nisur me udhëtimin e tij në Finlandë për azil.

Qytetari shkruan për JOQ.al:

"Përshëndetje JOQ!
Doja të shtroja një shqetësim timin, që ka një javë që po rropatem nëpër dyert e institucioneve dhe s’po gjej zgjidhje.
Para tre vitesh (2015) kam qenë në Finlandë (Helsinki) për azil. Pas refuzimit si azilant, me deportuan në Shqipëri dhe me vendosën ekspuls dy vjeçar.
Vjet në Tetor mbaroi periudha e ekspulsit dhe para një jave vajta në Muriqan për të vërtetuar nëse mund të kaloja apo jo pas përfundimit të ekspulsit, por për çudi nuk më lejuan të kaloja, me pretekstin se kam qenë i deportuar si azilant.
I thashë policëve të doganës që mua më ka mbaruar tashmë afati i ekspulsit, plus që Mali i Zi nuk është pjesë e zonës shengen…. por përtej kësaj, ato prap nuk më lejuan të kaloja, me frikën se mos shkoj prap për azil.
I thashë, mos ka ndonjë penalitet ligjor në sistem, që s’më lejoni të dal?? Ato (policët) me thanë që nga ana ligjore je i pastër, në sistem na del vetëm që ke qenë azilant dhe për kte je deportuar në Shqiperi, nga ku ke marrë dhe ekspulsin. Kjo e fundit, të pengon të levizesh i lirë.
I thashë se ku mund të adresohem për të ndjekur procedurat e heqjes formale të ketij ekspulsi… ato m’u përgjigjën me fjalet: Nuk dijmë gjë.
Më pas vajta ke ministria e brendshme, ua sqarova hallin që kisha dhe me drejtuan për ke drejtoria e pergjithshme e policisë.
Vajta dhe atje, kto të fundit (drejtoria e përgjithshme e policisë) me dërguan tek zyra e emigracionit dhe e kufirit.
Vajta ke e emigracionit dhe sekretarja e atij institucioni më tha që duhet të marrësh një dëshmi që gjatë kohës që ke ndenjur atje, nuk ke pasë probleme.
I thashë zonjës në fjalë, që unë s’kam pasë asnjë problem me ligjin, thjesht kam qenë për azil si shumica e shqiptarve. Por nëse kërkoni vërtetim për mua, atëherë kjo është punë e juaja që ju të lidheni me shtetin përkatës dhe të merrni informatat për mua.
Ajo mu pergjigj që kjo është punë e ambasadës Finlandeze.
I thashë që ne s’kemi ambasadë Finlandeze në Shqipëri, si t’ia bëj???
Më tha që t’i shkruaja ambasadës Finlandeze në Prishtinë (se Kosova e kishte ambasadën e këtij shteti).
I dërgova email ambasadës Finlandeze në Prishtinë dhe i’a parashtrova hallin që kisha, duke i kërkuar një vërtetim për mua që s’kam pasë probleme gjatë kohës së qëndrimit atje.
Ambasada Finlandeze në Prishtinë më ktheu përgjigje, duke më thënë: Në nuk e mbulojmë pjesë e Shqipërisë, si rrjedhojë nuk mund t’ju ndihmojmë. Është ambasada Filandeze në Greqi që e mbulon Shqipërinë.
Pasi më dha adresën e kësaj ambasade në Greqi, i dërgova email dhe asaj për zgjidhjen e problemit tim… dhe nuk më kanë kthyer përgjigje fare.
Më pas vajta ke policia e Shkodrës (se nga Shkodra jam) dhe ato nuk më dhanë asnjë informacion se ku duhet të drejtohem, me pretekstin se nuk dijnë gjë.
Vajta ke gjykata e Shkodrës dhe një punonjës aty, më tha që të shkoja në policinë e aeroportit te Rinasit, pasi aty ke ardhur dhe t’kane vendos ekspulsin.
Vajta ke policia e aeroportit dhe takova personin që merrej me të deportuarit e azilit… dhe nuk arriti të më japë një drejtim të saktë në lidhje me problemin tim. Vec shtoi se kjo punë zgjidhet nëpërmjet ambasadës Finlandeze.
Ambasadë Finlandeze s’kemi në Shqipëri, ajo që ndodhet në Kosovë nuk mbulon shtetasit shqiptar, ajo që ndodhet në Greqi dhe që pretendohet se na mbulon ne, nuk të kthen përgjigje… s’di ç’farë të bëj dhe ku të drejtohem që të ndjek procedurat e heqjes së ekspulsit nga sistemi.
Mua afati me ka mbaruar dhe atyre u del në sistem që më ka mbaruar, por nuk më lejojnë të dal, qoftë as në Mal të Zi.
Doja te pyesja se nëse ka ndonjë informacion se ku mund të drejtohem dhe ç’farë procedurash mund të ndjek për t’a hequr formalisht kte ekspuls, sepse po me pengon të lëvizi i lirë, edhe pse afati me ka mbaruar dhe probleme me ligjin s’kam pasur kurrë.
Shpresoj te gjej një rrugëzgjidhje nga ana juaj, se për shtetin, lozin ping-pong me neve, sa në një institucion në tjetrin dhe prapë nuk të kryejnë punë, qoftë edhe një informacion nuk të japin. Faleminderit!”