Jeta Osh Qef
Home

Me arna dhe pa ndriçim, autostrada Tiranë-Durrës me pagesë/ Dy alternativat “shfajësuese” të Gjiknurit
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 08/11/2018 12:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Autostrada Tiranë-Durrës që nga viti i ardhshëm do të jetë më pagesë. Kështu ka njoftuar ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, gjatë prezantimit të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm. Gjiknuri bëri me dije, se qytetarët do të kenë dy rrugë të tjera alternative, për të cilat nuk duhet të paguajnë. Ministri shtoi më tej se zgjerimi i këtij aksi, i cili kushton më shumë se 200 milion euro, nuk mund të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Ai tha:

Që të zgjerosh këtë rrugë me paratë e buxhetit, do të duhen mbi 200 milion euro, gjë që ne nuk e kemi. Një rrugë, e cila vërtetë do të jetë me pagesë dhe këtu s’kemi pse ta fshehim, por do të kemi parasysh se do të kemi dy rrugë alternative, pjesë e kësaj kontrate koncesionare të mundshme pa pagesë. Ne kemi parashikuar edhe fonde, për të marrë kompani ndërkombëtare inxhinierike të supervizimit.”

Kujtojmë këtu se gjatë muajit qershor në autostradë u kryen disa punime, për të rregulluar pjesët e amortizuara dhe tashmë rruga duket si një rrobë e arnuar. Një problem tjetër në këtë aks rrugor është edhe ndriçimi, i cili mungon gjatë natës dhe për fat të mirë, rreth e qark saj ndodhen disa biznese, të cilat janë të vetmet që bëjnë dritë dhe orientojnë shoferët. Megjithatë , kjo duket se nuk i intereson shumë qeverisë dhe ka vendosur që të fusë sërish dorën në xhepat e shqiptarëve, për një shërbim, i cili nuk plotëson normat bazë të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu ministri u ndal edhe tek segmentet kryesore që do të financohen me paratë e buxhetit të shtetit, të cilat janë bypass-et e Fierit dhe Vlorës, rruga Kardhiq-Delvinë. Në buxhet përfshihet edhe rruga e Arbrit, akset Thuman-Kashar, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

Gjiknuri theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, i cili do të ketë një rëndësi të madhe për turizmin. Sipas ministrit, ky investim do të bëhet, edhe nëse nuk arrihet marrëveshja me kompaninë turke.

Të gjitha projektet për investim dhe mirëmbajtje në segmentet rrugore në Shqipëri, do ti kushtojnë qeverisë 23 miliardë lekë.