Jeta Osh Qef
Home

Lumi i Tiranës gërryhet në mënyrë të paligjshme
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 08/11/2018 12:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Gërryerja e shtratit të lumenjve është një fenomen që vërehet në të gjithë vendin, mirëpo thuajse kurrë nuk janë marrë masa për këtë shkatërrim të natyrës.

Rasti i fundit i evidentuar është në lumin e Tiranës, konkretisht në zonën e njohur si lagja e “Frutikulturës”, ku në terren shihen makineri që gërryejnë dhe transportojnë materialet inerte drejt qytetit.

Kjo shkelje u publikua nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, TCH, ku thuhet se edhe pse pa licencë firma “Gjikuria”, gërryen në lumin e Tiranës.

Filmimet tregojnë qartë vendin ku gërryhet, në Kamëz. Ekskavatorët gërryejnë çdo ditë dhe mbushin automjetet e tonazhit të rëndë me materiale inerte.

Më pas, në orët e vona, këto automjete dalin jashtë Kamzës dhe i çojnë materialet inerte në një kantier që ndodhet në zonën e Shkozës.

Gazetarët i janë drejtuar Basenit Ujor të Tiranës. Përgjegjësja e komanduar, Dorina Capuni shpjegon në një intervistë se kompania “Gjikuria” rezulton se shkel ligjin dhe se nuk ka licencë shfrytëzimi, madje as licencë rehabilitimi.

Ajo u shpreh:

Në bazë të një vendimi të qeverisë shqiptare, që prej vitit 2012 nuk lejohet gërryerja në atë zonë të lumit të Tiranës. Ne kemi konstatuar shkeljen e Gjikurias dhe i kemi nisur shkresat si IKMT-së, ashtu dhe Inspektoriatit Kombëtar të Ujit. Janë ata që e kanë gjobitur subjektin, por që me sa duket vazhdon shkeljet.”