Jeta Osh Qef
Home

Me arkivolin mes duarsh, dalin pamjet e rënda nga Bularati
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08/11/2018 15:42

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Teksa mesha dhe ceremonia mortore për Kostandin Kaçifën ka shkuar drejt fundit dhe 35-vjeçari po përcillet për në varreza, imazhe tronditëse kanë dalë nga momentet kur trupi i tij i pajetë ka hyrë në banesë.

Kanë qenë mediat greke ato që kanë publikuar pamjet e rënda të nënës së Kaçifës, e cila e pret e veshur e gjitha me të zeza, në derë të shtëpisë, ndërsa disa djem të rinj të fshatit mbajnë në krahë arkivolin e tij të bardhë.

Mbi arkivol është gdhendur kryqi. Arkëmorti është i mbuluar me flamurin grek e makina e funeralit pret disa metra larg banesës së Kaçifës.

Nuk janë të paktë në numër banorët e zonës që kanë shkuar për të qarë 35-vjeçarin që hapi zjarr ndaj policisë dhe forcave RENEA. Gjithashtu, nuk kanë munguar as ofendimet e vendasve ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët i kanë konsideruar si armiq të tyre.

Herë pas here, disa qindra grekë të ardhur në Bularat për t’i dhënë lamtumirën Kaçifas, janë dëgjuar teksa provokojnë me fjalë ultranacionaliste e propagandojnë për Epirin e Veriut.