Jeta Osh Qef
Home

“T’i japim mesazh edhe armikut që kërkon të na përçajë nëpërmjet fesë!”, një shembull brilant nga Berati
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 13/11/2018 12:46

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nëse shoqëria shqiptare mund të mburret me ndonjë vlerë të mbetur është padyshim toleranca fetare, përveç një sërë traditash dhe zakonesh që po ashtu janë për t’u vlerësuar në ndikimin që kanë pasur dhe kanë në rendin shoqëror.

“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, me sa duket është një aksiomë që prevalon mbi çdo lloj përkatësie tjetër dhe kjo bën të mundur që shqiptarët e besimeve të ndryshme të jetojnë në harmoni.

“Mbi të gjitha ne jemi shqiptarë”, me gjasë kjo është fjalia më e përdorur nga çdokush që ka tentuar së paku një herë të shpjegojë këtë tolerancë fetare në venin tonë.

E për ta pasqyruar këtë bashkëjetesë fetare, një qytetar ka dërguar për JOQ Albania rastin e një teqeje që njëherësh banorët e kanë quajtur edhe kishë.

Bëhet fjalë për teqenë-kishë të Zgrebonjës, Berat, me të cilën banorët shprehin harmoninë fetare duke e cilësuar “pasuri”.

Qytetari shkruan:

Përshëndetje JOQ Albania! Po ju dërgoj disa foto nga fshati Zgrebonj i Beratit që ka të bëjë me një pasur të popullit shqiptar se si jetojnë në harmoni fetë e ndryshme me të njëjtët njerëz.
Fjala është për teqenë-kishë të Zgrebonjës, kjo teqe e bekuar qindravjeçare është ngritur mbi rrënojat e një kishe mijëravjeçare, saktësisht ndodhet në krahinën e Ballollit.
Është një nga rastet e rralla në planet ku feja i bashkon në të tillë mënyrë njerëzit. Besimtarë të feve të ndryshme luten dhe falen në këtë teqe-kishë, çdo person i lutet Atij.
Kjo është provë 100% që populli shqiptar ka respekt për fenë, sepse kemi respekt për njëri-tjetrin së pari.
Dua të them që populli shqiptar nuk ndahet nga feja, përkundrazi kjo edhe na bashkon më shumë.
T’i japim mesazh edhe armikut që kërkon të na përçajë nëpërmjet fesë!”

JOQ Albania