Jeta Osh Qef
Home

Të parët në Europë, kjo është sëmundja që po u merr jetën shqiptarëve
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 15/11/2018 11:03

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Sot është dita ndërkombëtare e sëmundjes së diabetit. Sipas studiuesve, kjo sëmundje është shkaktari i shtatë i vdekjeve në botë.

Të dhënat në Shqipëri, tregojnë se vdekjet e shkaktuara nga diabeti janë më të lartat në të gjithë kontinentin e Europës. Diabeti bën pjesë tek sëmundjet endokrine, të cilat kanë një vdekshmëri 110 për 1 milion banorë.

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji, shprehet se diabeti mban peshën kryesore, përsa i përket vdekjeve nga sëmundjet endokrine. Ministria e Shëndetësisë, bënte me dije në 2014-ën, se niveli i vdekjeve nga diabeti ishte trefishuar.

Kjo rritje i atribuaohet nivelit të lartë të glukozës, e cila vjen nga dietat jo të shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik, raporton Monitor.

Barra e diabetit mellitus pothuajse është dyfishuar në Shqipëri në të dy gjinitë gjatë dy dekadave të shkuara. Te meshkujt u vërejt një rritje prej 96% të DALY-t nga diabeti, ndërsa te femrat rritja ishte 85%, shkruhet në raportin e Ministrisë.

Për mjekun Dashamir Gjergji, ky numër kaq i madh jo vetëm në vendin tonë, por ngado, vjen nga shumë shkaqe, ku më kryesoret janë: Mosvajtja për kontrolle periodike mjekësore, orientimi joracional drejt grupeve të riskut si edhe sensibilizim jo optimal dhe mosreagim të popullatës ndaj këtyre informacioneve.

Europa Juglindore më e prekura

Të dhënat e Eurostat për normën e vdekjeve të shkaktuara nga diabeti tregojnë se vendet e Europës Juglindore janë më të prekura.

Vendi me normën më të lartë pas Shqipërisë për vdekjet nga diabeti është Qipro, ku në 2015-n llogariteshin 65 vdekje për 1 milion banorë.

Pas Qipros renditet Turqia me 49 vdekje për 1 milion banorë, Malta me 46 për 1 milion dhe Serbia me 44 për 1 milion banorë.

Ndërsa vendet me normën më të ulët të vdekjeve me shkaktar diabetin e kanë vendet e Europës së Veriut dhe Perëndimore.

Normën më të ulët e mban Lihtenshtajni, ku sipas të dhënave të Eurostat numri i vdekjeve për 1 milion banorë ishte 2.65, pasuar nga Finlanda me 8 vdekje për 1 milion banorë.

Burimi: Eurostat për vendet e BE-së, INSTAT për Shqipërinë (të dhënat për Shqipërinë i referohen vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet endokrine që kanë lidhje me të ushqyerin, ku sipas mjekëve specialistë peshën më të madhe e zënë vdekjet e shkaktuara nga diabeti).