Jeta Osh Qef
Home

“Fundosi” me 14 vite burg Shullazin dhe grupin e tij, biznesmeni rikthehet në Prokurori ta zhysë më thellë
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06/12/2018 13:52

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Emiljano Shullazi u dënua më 14 vite burg për gjobvëniet dhe kërcënimet ndaj biznesmenit Ylvi Beqja. Ky i fundit është rikthyer në Prokurorinë e Tiranës, për të dëshmuar në lidhje me një hetim të ri ndaj Shullazit.

Me ndryshimet e reja ligjore, Prokuroritë e rretheve, kanë tagrin për të kryer hetime për pastrim parash, për personat e përfshirë në aktivitet kriminale.

Ylvi Beqja i cili mban statusin e të penduarit, u shoqërua në Prokurori nga forcat speciale. Çështja për të cilën bëhet fjalë është ajo e hotel Vollgës në Durrës. Organi i akuzës ka dyshime të forta se kjo pronë është regjistruar në emër të Shullazit, në kundërshtim me ligjin.

Në dokumentacionin e zotëruar nga Prokuroria, Shullazi zotëron 30% të kësaj prone, për të cilën Beqja është detyruar t’i paguajë Shullazit, gjysmë milioni euro. Kujtojmë këtu se ishte dëshmia e Ylvi Beqajt, e cila fundosi Shullazin dhe grupin e tij.

Në lidhje me hotel Vollgën janë zhvilluar disa procese gjyqësore mes kompanisë ‘Saudi Brothers’ dhe shtetasit Zamir Hasa. Në përfundimin final, prona u regjistrua në hipotekën e Durrësit, në emër të kompanisë Saudi Brothers.

Në deklarimet e mëparshme, Beqja ka thënë, se ka kontaktuar Shullazin për t’i dhënë ndihmë për regjistrimin e kësaj prone në këmbim të 20% të saj.

Në momentin që tentoi t’ia shiste një personi tjetër, Shullazi dhe grupi i tij, nën kërcënim, kërkuan 30% të sipërfaqes dhe një gjobë prej gjysmë milioni euro.