Jeta Osh Qef
Home

Studentët ngritën në këmbë një Shqipëri të tërë, në Gjirokastër aheng me mish, qofte e raki
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06/12/2018 15:11

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shqipëria zien nga protestat/ Në Gjirokastër nuk e prishin terezinë, drejtuesit e Universitetit ditën e nesërme në festë

Studentët kanë rrethuar sërish ditën e sotme ministrinë e Arsimit, në ditën e dytë të protestës.

Ata kanë katër kërkesa për ministrinë e Arsimit, duke filluar që nga tarifat e larta, deri te kushtet e konvikteve.

Pas marshimit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, studentët u pozicionuan përpara godinës së ministrisë së Arsimit.

Vala e protestave është shtrirë edhe në rrethet e tjera, në Durrës, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. Studentët njëzëri shprehen, se tarifat janë të larta dhe të papërballueshme.

Të vetmit që nuk e kanë prishur terezinë kanë qenë studentët e Universitetit të Gjirokastrës. Drejtues të këtij Universiteti ditën e nesërme do të zhvillojnë një festë me mish, qofte e raki. Ky fakt është denoncuar nga kreu i PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko.

Ai ka shtuar më tej, se drejtuesit e këtij Universiteti do të festojnë katandisjen e tij në një kioskë të shëmtuar. Më tej ai ka thënë se Universiteti i Gjirokastrës do të çlirohet nga kalbësirat, përndryshe qyteti do të humbasë një nga asetet më të rëndësishme.

Bejko shkruan:

Ndërkohë që studentët e universiteteve të gjithë Shqipërisë janë çuar në protesta për të drejtat e tyre, drejtuesit e të ashtuquajturit universitet në Gjirokastër kanë njoftuar nesër një aheng me mish, qofte e raki. Do festojnë katandisje pas 50 vjetësh të asaj vatre të rëndësishme dije në një kioskë të shëmtuar pa peshë me një numër të reduktuar studentësh që në këto çaste enden indiferentë kafeneve aty rrotull. Ai universitet do ribëhet. Do çlirohet nga kalbësirat, korrupsioni dhe nepotizmi ulëritës që sundon atë institucion. Ndryshe Gjirokastra jonë do humbasë një aset të rëndësishëm dhe jetik për të.”