Jeta Osh Qef
Home

“I qëlluan me armë dhe e futën në një kanal”, Marigleni rrëfen se si policia greke i vrau vëllanë
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 08/12/2018 19:03

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një histori rrëqethëse ajo e një adoleshenti shqiptar, i cili u vra nga policia greke, mirëpo ngjarja nuk u bë kurrë e bujshme dhe për vdekjen e të riut nuk u dënua askush.

Pas 21 vitesh vëllai i tij Mariglen Qosja ka dërguar pranë redaksisë së JOQ Albania dëshminë e tij, duke treguar dhimbjen që ai ka mbajtur gjithë këtë kohë për vrasjen e të afërmit të tij.

Ishte viti 1997 kur 14-vjeçari Erion Qosja vendosi të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin me Greqinë.

Një shofer nga Elbasani i cili ishte marrë me këtë punë edhe më parë, i premtoi atij dhe disa bashkëmoshatarëve të tjerë nga i njëjti qytet se do t’i dërgonte shëndoshë e mirë në Greqi.

Udhëtimi u duk se shkoi mirë, dëri kur para makinës së tyre ndaloi një xhip policie. Sipas vëllait të Erionit, policia greke ka thënë se kishte marrë informacion që shiptarët ishin të armatosur (për shkak se 1997 ishte viti i trazirave në Shqipëri kur u hapën depot e armëve), mirëpo e vetmja gjë që të rinjtë kishin ishte një trastë e mbushur me bukë thatë.

I trembur shoferi i makinës nuk ndaloi dhe kaq mjaftoi që policia greke të qëllonte me breshëri ndaj makinës. Njëri prej plumbave qëlloi Erjonin në kokë, ndërsa katër personat e tjerë arritën të dilnin dhe të fshiheshin.

Vëllai i Erjonit tregon:

Ata u larguan në një pozicion që nuk dukeshin, por në rrezen e syve të tyre dukej qartazi makina, dhe brenda saj 14-vjecari Erion Qosja. Teksa ai jepte shpirt, sic duket ata efektivë nuk e kishin herën e parë që varrosnin persona për së gjalli. E nxjerrin Erionin nga makina dhe e fundosin në një kanal me ujë. Por, të alarmuar, forca të tjera të policisë u shtuan për kapjen e 4 persona të tjerë. Të shokuar dhe të plagosur ata u dorëzuan, vetëm shoferi i automjetit nuk ra në dorë të tyre, ai u largua dhe sot e kësaj ditë ai kurrë nuk është gjendur apo përmendur nga arkiva e policisë greke. Cfarë do të ndodhte me Erionin dhe 3 shokët e tij? Sigurisht Erioni kishtë dhënë frymën e fundit, e ndërsa për shokët e tij do të jepej dënimi. Ajo që tregon një prej personave që ndodhej atë ditë me Erionin, sot shëndoshë e mirë, edhe jeton në Greqi, thotë se gjyqi i tyre është bërë në një sallë derrash. Pas gjyqit të përbërë vetëm nga ushtarë dhe policë grek ata u shoqëruan në Shqipëri. Por kush do të mbante përgjegjësinë për vrasjen e Erionit, kjo u bë e madhe në Greqi. Persona të ndjeshëm dhe media të ndryshme shkruajtën për këtë cështjen me tituj: Policia ekzekuton 14-vjecarin shqiptar. Efektivi i policisë vret me plumb në kokë të riun shqiptar etj etj… Jo vetëm kaq, protesta në qytete të Greqisë po merrte vëmendje, dhe polici i cili qëlloi në kokë Erionin u zbulua. Ai quhet Miltiadhis Andreoupolos, apo në greqisht μιλτιαδησ ανδρεοπουλος.”

Sipas Mariglenit, efektivi i policisë u shpall i pafajshëm ndonëse provat tregonin që adoleshentët shqiptarë kishin vetëm bukë thatë në çantat e tyre. Në ekzaminimin që iu bë trupit të 14-vjeçarit u zbulua se ai ishte qëlluar nga një distancë fare e ngushtë. Menjëherë pasi u shpall i pafajshëm, efektivi i policisë thuhet se u largua për në Rusi së bashku me familjen, ku ndryshoi edhe identitetin e tij.

Marigleni shkruan më tej:

Nga ana tjetër familja e tij që asokohe jetonte dhe jeton në Elbasan me dhimbje të madhe në shpirt priste trupin e të birit të tyre dhe në atë kohe lufte, ishte viti 1997, e në Shqipëri gjerat për ta ishin akoma më të vështira. Kushurinjtë e tij, njëri që kishte edhe lidhje të ngushta me Erionin e mori trupin e tij me ndihmën e qeverisë Greke edhe e solli në Elbasan. Ndërkohë, ambasadorët, ministrat e Brendshëm apo të Jashtëm, apo edhe veë Kryeministri i Shqipërisë nuk reaguan, por heshtën. Sot pas vdekjes së ekstremistit grek Kostanitnos Kaçifa nga RENEA në Bulerat të Gjirokastrës një shtet i gjithë u ngrit në këmbë. Madje edhe pse ka një muaj pas vrasjes mamaja e këtij ekstremisti ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama se do ta vriste me duart e saj. Por të lind pyetja, vallë për hakun dhe gjakun e Erion Qosjes i cili u vra në mënyrë barabare kush duhet të vritet? Këto janë tema që ndonëse në pamje të parë të harruara, e ndoshta të mbyllura, por familjarët kërkojnë llogari për djalin e tyre. Institucione përkatëse, duhen të japin një përgjigje kësaj familje se cfarë ka ndodhur me vrasësin e famijës së tyre? E pra, ky shkrim është për tu njohur pak me ngjarjen që kurrë nuk është përmendur, se cka ndodhur me këta persona, së shpejti do të jetë dhe më video për tu pasqyruar me fakte dhe të pathëna rreth vrasjes së Erion Qosjes. Nuk ngelet gjë tjetër, vecse për të bashkuar copëzat bashkë për të parë realitetin e hidhur. Deri atëhërë nuk të ngelet gjë tjetër vetëm të shpërndashë këtë shkrim e për të kuptuar sa e sa shqiptarë janë vrasë e janë varrosur për së gjalli. I paharruar qoftë kujtimi ytë Erion!”

JOQ Albania