JOQ Albania
Home

Për ku është nisur ky lum studentësh? Kam rënë në një dashuri të përjetshme me ta
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 16/12/2018 12:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Fatjon GJINAJ për JOQ Albania

Kam ndjekur pikë më pikë-pikat e studentëve në të gjitha rrugët e komunikimit. More i kam ndjekur në kohë reale në televizion, more në portale, more në gazeta e programe, more kam zbritur në shesh disa herë dhe i kam parë në sy e dëgjuar me veshë se ç’kërkojnë. Dhe e dini çfarë? Kam rënë në një dashuri të përjetshme me ta.

Kam dëgjuar shpesh ish-studentët e fillim viteve ’90-të të rrëfehen për uraganet rinore që morën me vete një sistem dhe krijuan një tjetër, mu aty ku studentët e sotëm po përpiqen të themelojnë një kulturë të re në historinë e pluralizmit shqiptar. Nuk i kam vlerësuar kurrë “mburrjet” e atyre “ish-studentëve” sepse më vinin si një mburrje për të rrahur gjoksin duke thënë se unë jam njëri nga ata or ti ej, por sot në ma pranofshin kam në plan t’ju kërkoj falje. Dhe po e bëj që tani: Më falni!

Sepse sot unë e di se të jesh i ri dhe i drejtë, t’a duash ndryshimin dhe të luftosh për të është diçka më tepër se mrekullueshme, është mrekulli. I kam një pjesë të studentëve në sy këto ditë, u kam folur disa prej tyre, kam bërë edhe fotografi me ndonjërin për t’i fiksuar në albumin e kujtimeve të jetës sime, dhe kam mësuar se nuk ka gjë më fisnike se të jesh i ri, ta duash vendin tënd e njëkohësisht të luftosh për të mirën e tij.

Në atë lum rinie kam parë gjakun e një kombi të tërë të lëshohet shesheve e bulevardeve në kërkim të një trupi të pastër e pa mëkate. Kam parë shpirtin e një shoqërie që nuk e pranon robërinë dhe arrogancën. Kam parë sytë e një bote të tërë shqiptare të drejtuar tek ata. Kam dëgjuar pemët të flasin, gurët të qeshin, qiellin të qajë e retë të zihen. Sepse kudo dëgjoja një “ju lumtë o bij, ju lumtë o bija, ju lumtë o zemra të pahelmuara të gjakut tonë. Na nderuat. Na e çuat shpirtin hava e zemrën na e bëtë mal”.

Nuk e di saktësisht se çdo të bëni nesër por di se çfarë bëtë sot, dje, pardje dhe që kur e nisët. Ju i bëtë lulet të çelin në dhjetor. Ndaluat borën të zbriste teposhtë. Mbështollët diellin në shpirtin e revoltës tuaj. Mbajtët njerëzit peng të pengut tuaj. Shtangët kohën në vend dhe u bëtë vetë kohë; vetë e vërteta; vetë e tashmja dhe e ardhmja; vetë shpresa, dielli, qielli, lulja, mali e pema më e lartë e hijerëndë e kësaj bote.

Nuk e di se ç’do të bëni pasnesër e në vijim, por di se çfarë ju themeluat sot, çfarë udhëhoqët sot, çfarë gdhendët sot… Ju jeni koha që po jetoj sepse ju i bëtë këto ditë të jetës time të mbeten përjetësisht të paharrueshme. Falë jush kam ç’të them për kohën kur kam jetuar. Thirrmëni, përdormëni, kërkomëni diçka, thomëni ç’të bëj për ju që të shlyej me pamundësinë e mundësive të mija një copëz të gjithë asaj mundësie të pamundur që ju ma bëtë të mundur: të ndjehem njeri.

Ju jeni nisur për diku vëllezër e motra të miat, e unë nuk kam ndërmend t’ju përqafoj, sepse jam nisur me ju, me ju do eci sërish dhe bashkë do të arrijmë diku. Ky lum është nisur tashmë dhe o burra përpara në rrugën e çlirimit nga përdhuna e nënshtrimi.

Koha i ka përzgjedhur njerëzit dhe rrethanat. Eja të ecim bashkë në këtë udhëtim përçarës në të cilin nuk ka birë nëne që na ndan. Eja të ecim bashkë krah për krah e shqiptarisht bashkuar jo kundër dikujt apo disave por në anën e drejtë të historisë dhe në projektin e duhur të së ardhmes. Ejani të ecim bashkë në këtë shteg altruistësh që e duan Shqipërinë deri në frymën e fundit dhe pas saj. Ju dhe ne jemi nisur për diku e kjo rrugë nuk ka më kthim, pavarësisht se ju keni bërë shumë që edhe po të ndaloni askush nuk do të kishte të drejtë t’ju fajësonte, duhet të vazhdoni dhe pikë.

Sepse kjo duhet çuar në fund dhe po u dorëzuat ju kush mund ta marrë tjetër përsipër. Ju dhe vetëm ju, sepse jeni RINIA, jeni e tashmja dhe e ardhmja, jeni të fortë dhe të pakompromentueshëm, jeni fjala më e bukur që kurrë nuk është thënë sepse ende nuk ka lindur një gjuhë aq e zgjuar sa ta shqipërojë.